E Para luhet sot e gjitha, teksa nga ora 14:00 zhvillohen nëntë takime. Në grupin Kastrioti do tentojë fitoren me Korabin, për të ruajtur minimalisht diferencën me Besëlidhjen e vendit të dytë. Lezhjanët luajnë gjithashtu në shtëpi dhe presin një ekip si Erzeni, që duhet vlerësuar maksimalisht. Një finale mbijetese luhet në Shkodër, aty ku Veleçiku pret skuadrën e Dinamos. Sfidë interesante parashikohet të jetë edhe ajo mes Tërbunit dhe Burrelit, në Pukë.
Në grupin B mund të ndryshojë kreu i renditjes. Apolonia ka një transfertë të vështirë me Orikun dhe Pogradeci është gati të përfitojë. Liqenorët presin Turbinën dhe fitorja për ta është detyrim. E njëjta gjë vlen edhe për Lushnjën, që luan në shtëpi me Ilirinë e Fushë-Krujës. Elbasani-Shënkolli është një finale mbijetese, ndërkohë që sot luhet edhe takimi Devolli-Besa, për një vend në katërshen e parë. /abcnews.al