Një reaksion kimik në laboratorin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Janaq Kilica në Fier ka shkaktuar panik tek nxënësit dhe në gjithë shkollën.
Mësohet se nxënësit kanë qenë në orën e mësimit duke zhvilluar një eksperiment dhe më pas ka ndodhur edhe reaksioni duke çuar në një re tymi.
Gazetarja Valbona Davidhi tha për abcnews.al se nuk ka shenja të helmimit, ka qenë një situatë paniku, për shkak të një ekpserimenti në orën e kimisë. Nxënësit kanë pasur probleme në frymëmarrje dhe kollitje. Më tepër ka qënë një situatë paniku se sa një helmim.
U raportua se shkak mund të ishte bërë një kaldaje që ngroh shkollën, por më pas u mësua se nuk ndizej fare. Kemi të bëjmë me një asfiksim të lehtë të 6 nxënësve. Bluzat e bardha bëjnë më dije se nuk ka komplikacione serioze.
Mbetet për tu sqaruar nëse ka qenë apo jo një gabim në eksperiment.
Ndërkohë burime nga Policia bëjnë me dije se nxënësit janë dërguar menjëherë në spital dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave.
Informacioni i Policisë:
Sot rreth orës 13:10, në lagjen “Kastriot”, në një shkollë të mesme në Fier, në kabinetin e laboratorit, gjatë mësimit, 6 nxënës kanë pasur të kollitura dhe vështirësi në frymëmarrje.
Menjëherë nxënësit janë çuar për kontroll mjeksor në Spitalin Rajonal Fier dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Paraprakisht nuk dihet kush ka qënë shkaku i kësaj situate.
Në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor dhe po punohet për sqarimin e rrathanave dhe gjetjen e shkakut të kësaj ngjarje.
/abcnews.al