Zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, ka kritikuar Unionin Europian për presionin që i bën Serbisë për njohjen e Kosovës. Ndërsa nënvizon se Veriu i Mitrovicës ka të drejtë për vetëvendosje.
Zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache thotë se veriu i Kosovës duhet të ketë të drejtën për vetëvendosje. Ai kritikon Unionin për presionin ndaj Serbisë për të njohur Kosovës ndërsa nënvizon se Beogradi është garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Mendoj se njohja e Kosovës është çështje vetëm e Serbisë. T’i bësh presion për këtë do të ishte rrugë e gabuar”, ka thënë Strache për të përditshmen serbe “Politika”. Komentet e tij vijnë para vizitës në Beograd ku të hënën do të takohet me ministrin serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç.
Ai thekson se forca plitike që drejton, Partia e Lirisë (FPO), ka kritikuar ashpër njohjen e Kosovës nga Austria. Megjithatë shtoi se ky është fakt që nuk mund të ndryshojë.
Duke arsyetuar më tej propozimin për vetëvendosje apo autonomi të Veriut të Kosovës, Strache tha se “fatkeqësisht, për këtë duhen bisedime të gjata e të komplikuara”. Pavarësisht mbështetjes për Beogradin, zyrtari austriak nënvizon se shpreson që të arrihet kompromis në kuadër të dialogut në Bruksel./abcnews.al