Ndërsa ka shkuar si i pandehur për akuzën e vrasjes së ish-bashkëshortes gjyqtares, Fadil Kasemi, vazhdon përballjen e tij ligjore në Gjykatën e Tiranës për kujdestarinë e fëmijëve. Në seanën e radhës, kjo gjykata ka ngarkuar dy psikologë të vlerësojnë se familjarët e gjyqtares apo të Kasemit janë më të përshtatshmit për t’i mbajtur në kujdestari.
Të premten, teksa gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të shtyjë seancën e parë ndaj Fadil Kasemit, të akuzuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes gjyqtare, Fildez Hafizi, i pandehuri pati një kërkesë.
Ai iu lut trupit gjykues të mos caktonte seancën tjetër në 19 shkurt.
Kërkesa u motivua me një tjetër përballje gjyqësore ku Kasemi është palë, gjyqi që do të përcaktojë kujdestarinë e dy fëmijëve të tij të mitur, 14 dhe 16 vjeç.
Aktualisht, fëmijët e gjyqtares së vrarë janë nën mbikqyrjen e përkohshme të tezes së tyre. E njëjta kërkon në Gjykatën e Tiranës kujdestarinë e përhershme.
Në seancën e radhës të kësaj beteje gjyqësore, gjykata e kryeqytetit u ka dhënë detyrë dy ekspertëve psikologë të vlerësojnë se cilët familjarë janë më të përshtatshëm për kujdestarinë e dy të miturve, ata të gjyqtares së ndjerë, apo të Fadil Kasemit.
Në sallën e gjyqit, Klodian Reçi, avokati i Kasemit, ka këmbëngulur se vëllai i klientit të tij kanë të ardhura të mjaftueshme financiare për mirërritjen e tyre, si edhe fëmijë të të njëjtës moshë.
Fadil Kasemi ndodhet në qeli që prej 31 gushtit 2017, ditë kur qëlloi drejt ish-bashkëshortes së tij në zonën e “Xhamllikut”.
Ai akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe nëse deklarohet fajtor rrezikon burgimin e përjetshëm.