A do të mbyllen shkollat dhe kufiri me Italinë? Përgjigjet Manastirliu

schedule10:44 - 24 Shkurt, 2020

schedule 10:44 - 24 Shkurt, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu theksoi sot se Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus dhe se janë marrë masat e nevojshme për t’iu përgjigjur rrezikut.

E pyetur nga gazeterët nëse duhen mbyllur shkollat dhe bllokuar udhëtimet me Italinë, Manastirliu tha se nuk është momenti dhe se rreziku për vlerësohet hap pas hapi sipas udhëzimeve të OBSH-së.

Manastirliu u ndal gjithashtu tek sasia e maskave në treg duke theksuar se spitalet janë të furnizuara mjaftueshëm.

“OBSH rekomandon të vlerësohet mundësia hap pas hapi bazuar në shkallën e riskut, por mbyllja e kufijve realizohet kur paraqiten raste, kur kemi situatë të epidemisë me përhapje të gjerë, kur edhe në këto raste nuk vendosen masa agresive kombëtare, por izolohet lokalisht rasti gjurmohet kontakti dhe vendosen masa. Do të përgjigjemi sipas situatës dhe shkallës së riskut. Vendimet do të merren hap pas hapi me qëllim mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë”, theksoi ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu tha se janë kontrolluar më shumë se 4 500 pasagjerë që futen në Shqipëri, të cilët kanë dalë negativë.

“Kemi dyfishuar masat në qarkullimin kufitar. Jemi në aeroportin e Rinas-it, në portet e Sarandës, Vlorës e Durrësit gjithashtu edhe në pikat e kalimit tokësor. Kemi monitoruar më shumë se 4500 pasagjerë të cilët kanë ardhur.

Vlerësimi është bërë sipas parametrave dhe udhëzimit të Organizatës botërore të shëndetësisë.  Jemi duke ndjekur hap pas hapi situatën.

Paralelisht vazhdon edhe trajnimi i personelit shëndetësor për vendosjen e gjendjes së gatishmërisë dhe për ndjekjen me rigorozitet për protokollet e ndjekura në rast të virusit vdekjeprurës”, tha ajo. /abcnews.al