U kap me drogë në Qafë Botë, shkarkohet nga detyra doganieri

schedule20:09 - 21 Shkurt, 2020

schedule 20:09 - 21 Shkurt, 2020

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka vendosur shkarkimin nga detyra të doganierit Arten Ibrahimi, i cili u kap këtë të premte në Qafë Botë, pasi po tentonte të kalonte një sasi droge drejt Greqisë të fshehur në bagazhin e automjetit të tij Toyota.

Ndalimi i Ibrahimit që punonte si doganier në Pikën Kufitare të Tre Urave në Përmet, është bërë pasi tentoi të kalonte drogë drejt vendit fqinj. Policia bën me dije se gjatë kontrollit në makinën e tij tip “Toyota” me targe AA040TY  gjeti 33 pako me 34.55 kilogramë kanabis dhe një armë zjarri tip TT model 54′.

Shkarkohet nga detyra doganieri që u kap me lëndë narkotike

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gjon Bardhi, ka reaguar duke i zgjidhur menjëherë marrëdhëniet e punës shtetasit Arten Ibrahimi, me detyrë doganier peshore/Pikë Kontrolli, Zyra e Operacioneve Doganore, Dega Doganore Tre Urat.

Zgjidhja e marrëdhënieve të punës me shtetasin në fjalë u bë pas ndalimit nga Policia të tij në Pikën Kufitare të Qafë Botës, ku në mjetin që ai drejtonte u gjet lëndë narkotike.

Për vetë përgjegjësitë veçanta që ka Dogana Shqiptare konsiderohet shkelje shumë e rëndë kur nga vetë punonjësit e ADSH shkelen ligjet që rregullojnë punën e Doganave Shqiptare, ose që kanë lidhje me të dhe për të cilat janë ngarkuar ti zbatojnë.

Në këto kushte, posedimi i lëndëve narkotike përbën shkelje shumë të rëndë të disiplinës në punë, duke ulur imazhin dhe integritetin e ADSH, cënuar misionin e Doganës në arritjen e standardeve më të larta të etikës në fitimin e besimit të publikut./abcnews.al