Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Masakër në Afrikën e Jugut: Të paktën 11 të vrarë gjatë një feste, mes viktimave edhe një grua shtatzënë

schedule09:28 - 23 Shtator, 2026

schedule 09:28 - 23 Shtator, 2026

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Afrikën e Jugut, ku të paktën 11 persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e një sulmi me armë zjarri në një ndërtesë banimi në zonën KwaMakhutha, pranë qytetit të Durbanit.

Sipas të dhënave të para nga policia vendase, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës. Tre persona të armatosur kanë sulmuar banesën ku 13 burra dhe një grua, e cila besohet se ishte shtatzënë, po zhvillonin një festë.

Autorët kanë hapur zjarr të menjëhershëm ndaj 14 personave të pranishëm. Dhjetë prej tyre ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa katër të tjerë u dërguan me urgjencë në spital, ku njëri prej tyre nuk u mbijetoi dot plagëve të marra. Mes viktimave është konfirmuar edhe gruaja shtatzënë.

Gazetarët në vendngjarje raportojnë se përpara se të largoheshin, sulmuesit i vunë zjarrin edhe makinës së një prej viktimave.

Autoritetet policore kanë bërë të ditur se kanë nisur një operacion masiv kërkimi për kapjen e autorëve, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e një konflikti mes grupeve rivale kriminale. Policia konfirmoi gjithashtu se disa nga viktimat ishin nën vëzhgim për aktivitete të paligjshme, detaje të cilat nuk u bënë me dije për të mos dëmtuar hetimet.

Lufta për territor, trafikimi i drogës dhe shfrytëzimi i paligjshëm i minierave janë ndër shkaqet kryesore të dhunës sistematike midis bandave në Afrikën e Jugut.

Afrika e Jugut përballet me një nga shkallët më të larta të krimit në botë, ku sipas të dhënave zyrtare regjistrohen mesatarisht mbi 60 vrasje në ditë. Presidenti Cyril Ramaphosa e ka cilësuar më parë krimin e organizuar si kërcënimin më të madh për demokracinë dhe sigurinë e vendit, duke paralajmëruar angazhimin e ushtrisë në mbështetje të forcave të policisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!