Yuri Kim takon Ramën, Metën dhe Bashën: Tregoni pjekuri dhe respekt për institucionet, po ju vëzhgojmë

schedule20:00 - 19 Shkurt, 2020

schedule 20:00 - 19 Shkurt, 2020

Në kohën kur konflikti i nisur mes Presidencës dhe mazhorancës për emërimet e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese vijon të thellohet, dhe kreu i Shtetit ka paralajmëruar edhe mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit, ndërsa lideri i opozitës Lulzim Basha sheh si zgjidhje të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me 3 udhëheqësit shqiptarë.

Përmes një deklarate, ambasadorja Kim bën të ditur se gjatë ditës së mërkurë ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e PD, Lulzim Basha, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe pritshmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Ambasadorja shprehet se në takim është diskutuar për konferencën e donatorëve në Bruksel, që sipas saj pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar, në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit.

Por, diplomatja amerikane thekson se përgjatë gjithë këtij procesi nevojitet transparencë dhe llogaridhënie.

Ambasadorja Kim bën të ditur se përveç konferencës së donatorëve, në takimet me Ramën, Metën dhe Bashën, ka diskutuar edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike.

“Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”,  thuhet në deklaratën e ambasadores amerikane në Tiranë.

Takimet e ambasadores Kim vijnë pasi Presidenti Meta ka thirrur një protestë në datën 2 mars, kundër “grushtit të shtetit” siç e konsideron ai shkeljen e Kushtetutës nga mazhoranca./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!