Armando Duka merr mandatin e pestë si President i FSHF

schedule13:17 - 7 Shkurt, 2018

schedule 13:17 - 7 Shkurt, 2018

Armando Duka zgjidhet për herë të pestë president i Federatës Shqiptare të futbollit. Pas votimit nga Asambleja e FSHF, e mbledhur sot paradite në Durrës, Armando Duka u shpall fitues në raundin e dytë të votimit me 38 vota, përballë 24 votave të rivalit të tij në gare Bashkim Fino. Në këtë garë mjaftonin 34 vota për t’u kualifikuar. Raundi i dyte i votimit u bë i domosdoshëm për përcaktimin e fituesit, pasi në raundin e parë asnjë nga tre kandidatët nuk mori 2/3 e votave.

Në fjalën e tij pas fitores Duka, duke mos e fshehur lumturinë, premton për përkushtim në realizimin e premtimeve të bëra këto muaj.

“Jam i lumtur dhe emocionuar, jo për faktin se do jem Presidenti, por për besueshmërinë dhe ndjej obligimin e madh se nga sot fillon një gjë akoma më e vështirë për mua. Asambleja u zhvillua brenda standardeve, dëshmon se ne jemi një organizatë me standarde të lartë brenda shoqërisë, ju garantoj të gjithëve se ato që janë diskutuar në këto muaj para zgjedhor do të jenë pjese e diskutimit, do t’i korrigjojmë dhe do bëjmë më të mirën. Falënderoj shumë kandidatët, të ftuarit. Ju premtoj se përkushtimi im do të jetë akoma më i madh, më ka dhënë shumë mësime kjo asamble”- tha Duka.

Në raundin e parë Duka mori 39 vota, Fino 22, ndërsa për kandidatin Shpëtim Hala nuk shkoi asnjë votë.

Biznesmeni nga Shijaku Armando Duka është Presidenti në fuqi i Federatës së Futbollit, në detyrë që prej vitit 2002.

/abcnews.al