Suad Lici, administratori i Vllaznisë, ka folur para ndeshjes me Tiranën, që zhvillohet nesër prej orës 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kreu i kuqbluve fillimisht flet për skuadrën e tij dhe ndryshimet e bëra në merkaton e janarit. “Unë mendoj se me largimet dhe afrimet, apo edhe me huazimet që kemi bërë, mendoj se kemi vepruar drejt.
Ata duan pak kohë për t’u përshtatur me skuadrën. Tani kemi një konkurrencë tjetër në ekip dhe mendoj që edhe moralisht skuadra është tjetër. Besoj shumë që këtë ndeshje ne do të japim më të mirën për të fituar. Mendoj që ka ardhur momenti ta mposhtim Tiranën”, shprehet Lici për “Star Plus TV”.
Objektivi me Tiranën është i qartë dhe administratori i Vllaznisë e thotë hapur: “Vllaznia ka pasur bilanc pozitiv me Tiranën, në Shkodër sidomos. Është një fitore që na jep shumë vlera për arritjen e objektivave tona. Do e marrim ndeshjen me qetësi, si të tjerat, por normalisht do të luajmë për të fituar”.
Lici në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e Tiranës si lojtar, por Vllaznia është klubi i zemrës. “Unë kam emocion vetëm për Vllazninë. Si ‘ish’ normalisht kam respekt për Tiranën dhe drejtuesit e saj. Kam kaluar vite shumë të mira atje si sportist, por tani jam drejtues këtu dhe dëshiroj të fitojë Vllaznia”.
Në fund dy fjalë edhe për arbitrat: “Natyrisht janë pjesë e futbollit, edhe ata gabojnë. E rëndësishme është që të mos gabojnë me qëllim. Kështu si po vjen kampionati, do të bëhet gjithmonë e më i vështirë. Nëse gjykohemi drejt, mendoj se do jemi brenda objektivave që kemi vendos: për të qenë në vendet e nderit dhe për të marrë pjesë në kupat e Europës”. /abcnews.al