Kryeministri Edi Rama pasditen kësaj të mërkure u është përgjigjur kritikëve në media në lidhje me vendimin qeveritar për ngritjen e njësisë anti-KÇKt.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Rama shkruan se qeveria është e angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, ndërsa komentatorët sipas tij, mblidhen në sallone televizive për të mbrojtur krimin nga qeveria.
Ndër të tjera në postimin e tij shefi i qeverisë thekson se disa gjynafqarë nëpër studio televizive janë kthyer në avokatë mbrojtes të krimit.
Postimi i plotë:
A janë njerëz këta a ça janë?”, më shkruan një qytetar i tronditur nga komentet e studiove televizive kundër paketës antiKÇK! Eh, kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet tv sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë.
Njerëz janë njerëz, po janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë! Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lënë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor.
Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet tv për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre, të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua, me PS e me çdo fitore elektorale të PS./abcnews.al