Tërmeti i 26 nëntorit i shkaktoi ekonomisë shqiptare një dëm prej 985 mln eurosh. Fatura përfundimtare e vlerësimit të dëmeve vjen pas më shumë se 2 muaj nga tërmeti. Bledi Çuçi drejtuesi i Komitetit për Emergjencat Civile deklaroi se nga fakeqësia natyrore u prekën mbi 202 mijë persona. Durrësi është qyteti që ka pësuar dëmet më të mëdha i ndjekur nga Tirana.
“Ekspertët që janë angazhuar në këtë proces kanë vlerësuar dëme dhe humbje në shumën prej 985 mln eurosh”.
Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit duket se do të ndikojnë direkt në rritjen ekonomike. Pas faturës përfundimtare pritshmëritë janë ulur edhe më shumë dhe për vitin që kaloi pritet një rritje ekonomike vetëm 2.4 % dhe 3.5 % për 2020. Strehimi është sektori që ka pësuar dëmet më të mëdha i ndjekur nga prodhimi ,arsimi dhe infrastruktura.
“Llogaritet që efektet e tërmetit të jenë të barazavlefshme me rreth 7.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Mendohet që efekti negativ të balancohet nga mobilizimi në sektorin e rindërtitmit që sjell procesi i rimëkëmbjes”.
Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca bëri me dije se tashmë pritshëmritë janë që në konferencën e donatorëve të mblidhen sa më shumë fonde.
“Takimi i 17 shkurtit është shumë i rëndësishëm. Ne po presim kontribute ndërsa aktualisht kanë konfirmuar pjesëmarrjen rreth 100 vende në konferencën e donatorëve. Fatura e vlerësimit të dëmeve tashmë na fut në fazën e tretë që është nisja e rindërtimit”, tha Soreca.
Tërmeti i 26 Nëntor 2019 ishte me magnitudë 6.3 Richter në thellësi 38 km. Ai shkaktoi 51 viktima dhe 17,000 persona të zhvendosur.abcnews.al