Partia e Ali Ahmetit, BDI, në Maqedoninë e Veriut, ka propozuar të bëhet veting për zyrtarët më të lartë të vendit që nga presidenti dhe kryeministri e deri tek drejtuesit e institucioneve të pavarura. Opozita ka reaguar duke thënë se nuk është serioze sepse po propozohet në fund të mandatit të qeverisë.
Bashkimi Demokratik për Integrim propozoi në Kuvend projekt-ligjin për Veting, përmes të cilit kërkohet kontroll i figurës së personave që janë bartës të funksioneve publike, dhe jo vetëm në gjyqësor. Në të kërkohet që vetingu të jetë gjithëpërfshirës për kandidatët që marrin pozita shtetërore dhe publike. VMRO-DPMNE-ja në opozitë ka thënë se dorëzimi i këtij propozim-ligji 10 ditë para shpërbërjes së Kuvendit është një qasje jo serioze.
Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE, tha se kjo është një temë shumë e vështirë dhe e rëndësishme, por nëse BDI-ja si partner koalicioni do të ishte serioze këtë propozim mund ta dorëzonte në fillim të mandatit të kësaj qeverie.
Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët ka theksuar se do të përkrahin çdo nismë për “Vetting”, por kundërshtojnë faktin që një propozim i tillë vjen nga BDI.
“Është interesante që Artan Grubi përmes Grupit Parlamentar të BDI-së e ka bërë një propozim të tillë, ne e përgëzojmë. Paska filluar të mendojë më në fund që të pastrojë radhët e BDI-së, përfshirë edhe liderin e partisë, që mund të jenë të përfshirë në korrupsion dhe në krim. Ne si subjekt politik padyshim do e përkrahim këtë propozim, por është qesharake që këtë propozim e bën BDI dhe Artan Grubi të cilët janë pjesë e përgjegjësive për dy dekada”, tha Flakron Bexheti – ASH.
Lëvizja BESA thotë ndërkohë se “Vetingun” e vërtetë do ta bëjnë qytetarët në zgjedhjet e prillit.
Tentimet për të propozuar “Vetting” ata të cilët gjithë këto vite u akuzuan për afera korruptive, keqpërdorim të detyrës zyrtare e kështu me radhë, nuk kanë të drejtë morale që të vendosin rregullat e lojës në një proces “Vettingu”. Me apo pa propozim ligjin e BDI-së, Vetting-un e vërtetë pas 12 Prillit do ta bëjnë parti me të kaluar të pastër dhe pa hipoteka si është Lëvizja BESA. Ndërsa propozimi i BDI-së është i njëjtë sikur kriminelët e burgosur të menaxhojnë me burgjet e vendit dhe kjo nuk ka asnjë logjikë politike e morale”, thonë nga Lëvizja BESA.
Ndërsa Alternativa, parti shqiptare dhe Lidhja Socialdemokrate e Zoran Zaev nuk kanë komentuar. Përmes këtij propozim ligji parashikohet që të themelohet një Agjenci e cila do të merret me kontrollin e të gjithë zyrtarëve aktualë, por edhe të gjithë atyre që kandidojnë për funksioneve publike, që nga zyrtarët më të lartë të shtetit deri tek ata që administrojnë organe të pavarura.
Përmes këtij ligji dhe kontrollit të integritetit dhe dinjitetit të mbajtësit dhe kandidatit për poste publike synohet të arrihet parandalim i korrupsionit, krimit, shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe reputacionit të institucionit./abcnews.al