VIDEO | Katër gola për 25 minuta, Rudiger eviton humbjen e Chelsea ndaj “Dhelprave”

schedule15:24 - 1 Shkurt, 2020

schedule 15:24 - 1 Shkurt, 2020

Leicester City dhe Chelsea zhvilluan një ndeshje spektakolare, por në fund nuk pati fitues dhe të dy ekipet morën nga një pikë. Pjesa e parë nuk dhuroi gola, pavarësisht se skuadrat krijuan raste. Miqtë pretenduan për një penallti në minutën e 21-të.

Abraham u rrëzua në zonë, por arbitri vendosi të mos akordonte penallti pas shikimit të pamjeve në VAR. 45 minutat e dyta ishin plot emocione dhe djemtë e Lampard kaluan menjëherë në avantazh. Mount krosoi një top nga goditja e këndit dhe Antonio Rudiger goditi saktë me kokë.

“Dhelprat” reaguan dhe gjetën barazimin në minutën e 54-t. Harvey Barnes lëvizi bukur në krahun e majtë, goditi drejt portës dhe u ndihmua edhe nga një devijim. Topi në rrjetë dhe asnjë shans për portierin Caballero.

Leicester e rriti presionin dhe shënoi një tjetër gol dhjetë minuta më vonë. Mbrojtësi Chilwell përfitoi nga një kros i Tielemans dhe kaloi vendasit në avantazh. Festë në stadium, por për të vendosur heshtjen mendoi sërish Rudiger.

Mbrojtësi gjerman (golat e parë për këtë sezon) shfrytëzoi një tjetër kros të Mount në minutën e 71-të dhe mposhti Schmeichel me një goditje shumë të bukur me kokë. Përfundimisht 2-2 dhe Leicester vijon të ruajë vendin e tretë me 49 pikë, ndjekur nga “Blutë e Londrës” me tetë pikë më pak. /abcnews.al

Leicester City – Chelsea 2-2
(Barnes 54′, Chilwell 64′ / Rudiger 46′, 71′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!