EMRA-FOTO/ 1.18 ton kokainë, kush janë shqiptarët e arrestuar në Greqi

schedule19:12 - 25 Janar, 2020

schedule 19:12 - 25 Janar, 2020

Autoritetet greke zbuluan mëngjesin e së shtunës rreth 1.18 ton kokainë në Agrinjo, pranë Patras. Mediat vendase raportuan se sasia e drogës u gjet në disa dhoma të një kompleksi të marrë me qira. Lënda narkotike ka hyrë përmes portit privat të Katakolos dhe më pas është fshehur në kompleksin e fshatit turistik te Astakos. Tetë persona u arrestuan mes të cilëve 6 shqiptarë.

Gjatë një deklarate për shtyp, mbrëmjen e së shtunës, drejtuesit e policisë greke thanë se kapo i organizatës kriminale është 41-vjeçari shqiptar Aleksandër Pemaj. Sipas policisë, Pemaj ka qenë edhe herë të tjera në burg, madje ai është dënuar disa herë nga drejtësia për vepra penale tepër të rënda. Ai ka qenë anëtar i bandës së Marian Kolajt, një i arratisur nga burgjet greke, i cili u ekzekutua prej policisë greke, gjatë një përleshjeje të armatosur në afërsi të kufirit shqiptar.

Drejtori i policisë së Atikës, deklaroi se hetimet lidhur me këtë organizatë ishin nisur prej të paktën 6 muajsh, mbas informacioneve të marra nga autoritetet amerikane, se një sasi e madhe droge do të nisej nga Republika Domenikane me destinacion Greqinë, dhe në vazhdim do të shpërndahej në Shqipëri dhe Spanjë. Përveç 8 të arrestuarve janë identifikuar edhe disa shtetas shqiptare dhe arabe, të cilët aktualisht edhe pse janë identifikuar ende nuk janë arrestuar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, sasia prej 1 181 kg kokainë e pastër, vlera e së cilës llogaritet në mbi 50.000.000 euro, u sekuestruan edhe shuma cash prej 231.000 euro, 3 pistoleta, 1 kallashnikov, 5 autovetura dhe 19 celularë. Kreu i policisë greke, tha se hetimet do të vazhdojnë, ndërsa priten edhe arrestime të tjera në Greqi, Shqipëri dhe Spanjë. /abcnews.al

Emrat e shqiptarë të arrestuar:

Aleksandër Pema
Arbër Përdeda
Ergon Tusi
Erlin zotaj
Lek Doda
Maksim Preçi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!