INTERVISTA/ Nënkryetari i VMRO-së: Rama po ndërhyn në çështjet e brendshme të Maqedonisë

schedule10:57 - 23 Janar, 2020

schedule 10:57 - 23 Janar, 2020

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në mënyrë direkte, përzihet në zhvillimet politike në Maqedoni që nga viti 2016 kur është hartuar e ashtuquajtura Platforma e Tiranës, kur i ka ftuar partitë politike shqiptare në Tiranë. Mendojmë se kjo është e pandershme dhe jo korrekte. Përderisa qytetarët që jetojnë në Maqedoni zgjedhin përfaqësuesit e tyre, mendoj se ata duhet që politikat e tyre ti bëjnë këtu dhe çdo gjë tjetër është përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër që është më e keqja që mund të ndodhë. Nëse do ta kishim bërë ne një gjë të ngjashme, reciproke në Shqipëri, besoj se askush atje nuk do të ishte i lumtur dhe marëdhëniet me zotin Rama janë kësisoj. Më duket se ai ka një mik, preferencë në Maqedoni por shpresojmë se do ta kuptojë se duhet të bashkëpunoje edhe me qeveri tjetër dhe se për zhvillimet në Maqedoni vendosin qytetarët e Maqedonisë.”

Intervista me gazetaren Linda Karadaku per emisionin Ballkan:

 Faleminderit qe gjetet kohen per këtë intervistë. Ju jeni tani ne fushate parazgjedhore, do keni zgjedhje per 3 muaj. E para qe dua t’iu pyes është sesi është situata në Maqedoninë e Veriut tani. Ju jeni ne opozite dhe kur je ne opozite, asgje nuk duket mire. Si eshte situata ne aspektin ekonomik, politik, social?

Maqedonia nuk është në një situatë të mirë tani pavarësisht nëse je në qeveri apo në opozitë, pavarësisht se nga cfarë perspektive i sheh gjërat. Punët nuk janë mirë. Për fat të keq, jemi në vitin e pestë të një krizë politike dhe kjo situatë nuk është normale për askënd. Lufta e dytë botërore zgjati katër vjet ndërsa ne jemi 5 vjet në një krizë politike. Dhe është depresive për shumicën e njerëzve,  dëshpëruese dhe për këtë arsye, shumë prej tyre duan të ikin nga vendi ndërkohë që problemet janë thelbësore. Kemi probleme me sundimin e ligjit, korrupsionin dhe zbatimin e ligjeve. Ekonomia është duke u fundosur, dhe është pjesë e mungesës së sundimit të ligjit dhe politikave të gabuara ekonomike të ndërmarra nga kjo qeveri në kuptimin e ekonomisë në përgjithësi, dhe në sektorë të caktuar si shëndetësia apo arsimi, të cilat funksionojnë kur është në interes të qeverisë.

Për fat të keq kemi edhe korrupsionin e përhapur. E gjithë kjo atmosferë ndikon në dëshpërimin e njerëzve. Premtimet e fundit të qeverisë për anëtarësim në BE  hasën në mur sepse për vitin e dytë radhazi, nuk po arrin të marrë një datë për hapjen e negociatave dhe në përgjithësi, kjo zgjat që nga viti 2008, që në total është 12 vjet. Nëse deri vjet, kjo ishte me arsyetimin se kishte veto të Greqisë, që nga viti i kaluar kjo pengesë nuk ekziston, edhe pse sipas mendimit tonë, marrëveshja e arritur me Greqinë është e keqe, por gjithsesi, edhe kur kjo pengesë nuk ekziston, qeveria nuk arrin të hapënegociatat, para së gjithash edhe për shkak të mangësive strukturore edhetë BE, por edhe për atë që e thashë më parë: mos funksionimi i sundimit të ligjit, korrupsioni në shkallë të gjerë, administrata publike, dhe këto janë arsyet pse BE nukpo i hap negociatat me Maqedoninë. Ne jemi për ndryshime me 12 prill, të marrim anëtarësimin dhe t’iu tregojmë se çfarëmundemi.

Çfarë do të ndryshojë pas zgjedhjeve? A do ndryshojë edhe marrëveshja me Greqinë?

Përgjigje: Presim shumë probleme pas zgjedhjeve. Fokusi kryesor për qeverinë, për të mbuluar dështimet, është që flet për tema të mëdha, për tema botërore, ne flasim për njerëzit e thjeshtë, ata flasim, nuk e di, për marrëdhëniet midis Amerikës dhe Kinës, midis Amerikës dhe Rusisë; ne flasim për sistemin e bujqësisë për shembull.

Ky është interesimi i njerëzve, temat e mëdha nuk janë ato me të cilat duhet të merremi. Kjo retorikë e socialdemokratëve, të cilët nuk kanë ofertë, flet edhe për forca apokaliptike pas zgjedhjeve, gjë që nuk do të ndodhë, i vetmi apokalips është ai i klasës qeverisëse aktuale. Do të ndryshojë ekonomia, partia jonë është e njohur për politika të mira ekonomike, kemi patur rezultate brilante në të kaluarën, planifikojmë të vazhdojmë aty ku e lamë: tërheqja e investitorëve të huaj dhe rritja e pagave dhe hapja e vendeve të reja të punës; inkurajimi i investitorëve të mëdhenj për investime;  në pjesën e sundimit të ligjit, luftë e ashpër kundër korrupsionit.

Shikoni, në tre vitet e fundit, në Maqedoni, policia nuk ka kapur një kilogram të vetëm kokaine edhe pse kokaina është përhapur shumë në rrugët e Shkupit, mund të gjendet çdokund dhe çmimi është i lirë sepse ka ofertë dhepolicia nuk arrin ta kapë. Për momentin ekziston një bashkëveprim midis njerëzve pranë kryministrit teknik aktual, i cili deri vonë ishte ministër i punëve të brendshme, ish-kryeministrit dhe kryetarit aktual të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe nëntokës kriminale të Shkupit dhe Maqedonisë.

Këta janë njerëzit që ju sollën vota në vitin 2016 Socialdemokratëve me metoda “joakademike” do thosha, por me metoda kriminale, dhe këto tre vite, iu është paguar borxhi për këtë në atë mënyrë që ata mund të kontrabandojnë drogë në të gjithë vendin. Për fat të keq, sic thotë një miku im, tani Maqedonia është Maqedonia  e Kokainës; në një kohë diskutohej se çfarë emri t’i vihej Maqedonisë në kontestin me Greqinë dhe kishte nga ata që thoshin se duhet vënë emri Maqedonia e Kokainës sepse ky është realiteti dhe kjo është një gjë me të cilën ne po ballafaqohemi tani.

Çfarë do të bëni ju për këtë?

Luftë absolute kundër krimit dhe korrupsionit, direkt në thelb, në ballë, siç e themi ne. Lehtë mund të bëhet, të gjithë në rrugë e dinë se nuk është Maqedonia një vend i madh dhe njerëzit njihen mes tyre. Nëse ekziston vullneti politik, kjo është një gjë që zgjidhet për 4 deri në 6 muaj dhe kjo mund të zgjidhet pa asnjë problem. Problemi i korrupsionit dhe krimit në nivele të larta, ne kërkojmë ta zgjidhim këtë çështje thelbësore dhe mendojmë se kjo do të njihet nga Bashkimi Evropian dhe më në fund, në vitin 2020, këtë vit, shpresojmë të mund të hapen negociatat dhe viti 2020 të mos jetë vit i humbur për Maqedoninë dhe ditë më të mira po vijnë për vendin.

Ju bashkëpunoni me partitë shqiptare, dhe kjo është sic thuhet Rregull i Pashkruar. Pas krijimit të qeverisë, por edhe përpara, a do të bashkëpunoni me partitë shqiptare. A ka shanse të ketë koalicion me partitë shqiptare para zgjedhjeve, koalicion parazgjedhor?

Përgjigje: Ne presim të fitojmë bindshëmnë zgjedhje dhe presim të fitojmë shumicën dërmuese të mjaftueshme, që të mos kemi nevojë për partner koalicioni për të krijuar qeverinë. Megjithatë, realiteti në Maqedoni është i qartë, bashkësia e dytë etnike më e madhe në Maqedoni është ajo e popullit shqiptar dhe ne gjithsesi kërkojmë që të bashkëpunojmë me partitë të cilat përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni. Ky bashkëpunim duhet të jetë parimor, të gjenden të përbashkëtat, ne të pranojmë pjesë të programit të partnerit tonë potencial dhe partneri ynë potencial të pranojë pjesë të programit tonë dhe të krijohet aty një sinergji. Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, mendojmë se këto nuk janë parimore dhe nuk jusjellin gjë tëmirë as popullit maqedonas dhe as atij shqiptar. Mendojmë se maqedonasit duhet të përfaqësohen nga partitë politike maqedonase dhe shqiptarët nga partitë politike shqiptar, dhe ky është një sistem i cili funksionon në Maqedoni. Sistem ndryshe ishte ai në Jugosllavi dhe për fat të keq, Jugosllavia përfundoi një luftë të përgjakshme. Kështuqë, përsëritja e një Jugosllavie mund të sjellë vetëm probleme në Maqedoni dhe asnjë përparim pozitiv dhe kjo që bën LSDM e ZoranZaev, më ngjan me Jugosllavinë ku humbësit më të mëdhenj prapë janë shqiptarët. Ne i respektojmë shqiptarët dhe gjithmonë kemi patur marrëdhënie të drejta partneriteti dhe për të patur partneritet të drejtë, ne duhet të dimë se kë shqiptarët mendojnë se duhet ta zgjedhin që t’i përfaqësojë në parlament. Ata vetë duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre e jo t’u themi ne se kush duhet të jetë përfaqësuesi i tyre.

Ju po flisni për elektoratin shqiptar të LSDM-së?

Po, ka një pjesë të shqiptarëve që votojnë për LSDM, kjo është e vërtetë,

A ka shqiptarë që votojnë VMRO-në?

Po, ka edhe shqiptarë që votojnë VMRO-në, por pjesa kryesore e shqiptarëve voton për partitë e tyre politike dhe ne mendojmë se kjo është gjë e mire. Është mire që ne të dime se kë kanë zgjedhur shqiptarët që t’I përfaqësojnë.

Pra këto janë parti etnike, a mendoni se kjo mund të funksionojë gjatë?

Po, mendoj se mënyra se si është rregulluar tani Maqedonia, është funksionale dhe shteti funksionon, dhe në këtë faze të zhvillimit politik të shoqërisë, mendojmë se kjo është një zgjidhje ideale. Se si do të jetë për 20-30 vjet, është një gjë për të cilën do të  flasin gjenerata të tjera të politikanëve, dhe po e them, mënyra tjetër është se si përfundoi ish-Jugosllavia.

A keni preferenca në mesin e partive politike shqiptare?

Jo, jo ne do të bashkëpunojmë me secilën parti politke apo politikan i cili njeh programin tonë, por që ka edhe mbështetjen e popullit shqiptar, kështu që secili që është i gatshëm të pranojë programin tonë është i mirëseardhur si partner.

A mund të bashkëpunoni edhe me BDI e Ali Ahmetit?

Me secilën parti politike. Ne kemi bashkëpunim të rregullt me partitë politike shqiptare që janë në qeveri dhe opozitë, takime dhe komunikime të rregullta. Pas zgjedhjeve, gjithsesi varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, do të ulemi dhe bisedojmë nëse mund të kemi përafrim programesh dhe krijim sinergjie.

Çfarë marrëdhëniesh keni me Shqipërinë sepse mendoj se është me rëndësi për Maqedoninë e Veriut?

Si parti politike apo si shtet?

Jo, jo si shtet.

Si shtete, mendoj se kemi një bashkëpunim korrekt midis Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, praktikisht ne jemi fqinjë dhe duhet të bashkëpunojmë. Më vjen keq që infrastruktura nuk është e zhvilluar. Edhe pas 30 viteve, as Maqedonia dhe as Shqipëria nuk po arrijnë të sigurojnë mjete financiare që të rregullohet infrastruktura më e mirë.

Mendoj para së gjithësh, infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, dhe kjo do të pasuronte rajonin shumë dhe mund të ketë tregti më të madhe. Dhe kjo është një gjë që duhet adresuar bashkarisht nga Maqedonia dhe Shqipëria në mënyrë që burimet që kanë Maqedonia dhe Shqipëria, Maqedonia ka industri pak më të mirë, Shqipëria ka portet dhe kjo është një gjë që bashkon zhvillimin e dy ekonomive.

Duhet të ndërtohet korridori i 8-të në formë autostrade, për fat të keq kjo qeveri ka ndaluar punën në autostrada në korridorin 8 të cilën e kishte filluar qeveria e VMRO-DPMNE, por në 3 vitet e fundit as në atuostradën në drejtim të Shqipërise Strugë-Ohër –Kërçovë, por as në pjesën nga Kumanova në drejtim të kufirit me Bullgarinë, në mënyrë që i gjithë korridori 8 të Lindje-Perëndim të përfundojë. Por kjo është një nga planet tona pasi ti fitojmë zgjedhjet në mënyrë që, sikurse e thashë, të fokusohemi në ekonomi dhe pjesë  e saj është infrastruktura.

Dhe Mini-Schengeni mund ta ndihmojë këtë?

Absolutisht, ne përshëndesim çdo bashkëpunim rajonal. Sa i përket Mini Shengenit kemi dy vërejtje: e para ai nuk mund të jetë asnjë lloj alternative për anëtarësim në BE. Mendojmë se vendi i Maqedonisë është në BE dhe e dyta, për të patur kuptim, Mini Shengeni duhet të jetë i plotë. Kjo do të thotë se në të duhet të marrin pjesë edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, nuk mund të mbetet me 3 shtete, sic është tani dhe ose do tëjetë i plotë, dhe në fazën e dytë, të përfshijë edhe Kroacinë dhe Slloveninë, ose si ide nuk do të ketë sukses. Për momentin më duket si ide jo e plotësuar tërësisht.

Dhe me Kosovën?

Po absolutisht Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj.

Po mendoja marrëdhëniet me Kosovën?

Marrëdhëniet me Kosovën janë rritur, ekonomikisht janë të mira, ka mjaft shkëmbime tregtare, shumë njerëz nga Kosova vijnë këtu për tu shëruar përshembull ose të kryejnë ndonjë punë tjetër, mjaft produkte Maqedonase eksportohen nëKosovë, për fat të keq, pjesa e sundimit të ligjit nuk ka sukses të madh. Ka njerëz që kryejnë vepra kriminale këtu dhe ikin në Kosovë. Po flas këtu për grabitje të rënda bankash, vrasje njerëzish, dhe në Kosovë nuk ka bashkëpunim në mënyrë që këta njerëz të sillen nga Kosova dhe të gjykohen këtu sipas ligjeve në fuqi.

A janë këta shtetas të Kosovës apo Maqedonisë?

Edhe shtetas të Kosovës, edhe të Maqedonisë, e kombinuar dhe këtu mendoj se qeveria e re e VMRO DPMNE-së duhet të merrret seriozisht me bashkëpunimin me Kosovën për këtë sepse për kriminalitetin, nuk duhet të ketë kufij që mund ti mbrojë. Për të tjerat, bashkëpunimi është korrekt. Ju e dini se Maqedonia e ka njohur pavarsinë e Kosovës dhe këtë e ka bërë qeveria e VMRO DPMNE,  ngjashëm edhe me demarkacionin. Duhet të përmirësohet bashkëpunimi ekonomik edhe më shumë, një minus i madh i kësaj qeverie, edhe pse Zaev përpiqet të tregohet si mik i madh i shqiptarëve por kjo nuk ndodh sepse as nuk e ka përfunduar korridorin 8 dhe as nuk arriti të ndërtonte autostradënnga Shkupi deri në kufirin me Kosovën në Bllace. Kjo do të ndihmonte përshpejtimin e bashkëpunimit ekonomik kjo është gjë e mirë dhe duhet të bëhet. Kosova tani ka telashet e veta, duhet të formohet qeveria dhe shpresojmë se qeveria e re do të merret me shumë dhe me shkelësit e ligjit që tëdalin para organeve të drejtësisë.

Do të bashkëpunoni edhe me Albin Kurtin?

Ne do bashkëpunojmë me cilindo që është zgjedhur nga populli i Kosovës, nuk është puna jonë të zgjedhim kush do të jetë. Në zgjedhjet e fundit fitoi Albin Kurti dhe  ne e respektojmë këtë.

Pyetja e fundit, a keni preferenca midis partive politike në Shqipëri?

Ne jemi e njëjta familje politike e Partive Popullore Evropiane bashkë me Partinë Demokratike në Shqipëri. Në takimet që kemi në Bruksel, ne takohemi me zotin Basha dhe shkëmbejmë mendime, e fundit, në Zagreb ishim në kongresin e partive popullore dhe me Partinë Demokratike, kemi raporte korrekte sikurse edhe me Presidentin e Shqipërisë, zotin Ilir Meta kemi bashkëpunim solid.

Për fat të keq, nukmund të them të njëjtën gjë për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili në mënyrë direkte, përzihet në zhvillimet politike në Maqedoni që nga viti 2016 kur është hartuar e ashtuquajtura Platforma e Tiranës, kur i ka ftuar partitë politike shqiptare në Tiranë. Mendojmë se kjo është e pandershme dhe jo korrekte. Përderisa qytetarët që jetojnë në Maqedoni zgjedhin përfaqësuesit e tyre, mendoj se ata duhet që politikat e tyre ti bëjnë këtu dhe çdo gjë tjetër është përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër që është më e keqja që mund të ndodhë. Nëse do ta kishim bërë ne një gjë të ngjashme, reciproke në Shqipëri, besoj se askush atje nuk do të ishte i lumtur dhe marëdhëniet me zotin Rama janë kësisoj. Më duket që as nuk përpiqet ta fshehë që ka një mik, preferencë në Maqedoni por shpresojmë se do ta kuptojë se duhet të bashkëpunoje edhe me qeveri tjetër dhe të shqetësohet më shumë për punët në Shqipëri se për punët në Maqedoni vendosin qytetarët e Maqedonisë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!