Leonardo ka folur hapur rreth situatës së Edinson Cavanit. Sulmuesi uruguaian po insiston për t’u larguar drejt Atletico Madrid. Drejtori sportiv i PSG-së e konfirmon këtë gjë për mediet franceze dhe tregon se ka marrë një ofertë nga “Colchoneros”.
L’Equipe ka raportuar se bëhet fjalë për 10 milionë euro, por kampionët e Francës duan më shumë para. Kontrata e “El Matador” përfundon në verë dhe PSG nuk mund ta humbasë me parametra zero, teksa braziliani flet edhe për pasuesin e 32-vjeçarit.
“Kemi shpresuar që Cavani do të vijonte me ne, por na ka kërkuar të largohet. Po e studiojmë si situatë. Kemi marrë një ofertë nga Atletico Madrid, por nuk është në nivelin e lojtarit. Nuk i kemi vendosur kurrë një çmim Cavanit, e respektojmë dëshirën e tij.
Duhet të jemi të qartë: sulmuesi dëshiron të largohet. Zëvendësuesit e tij? Kemi Julian Draxler dhe shumë lojtarë të tjerë që mund të bëjnë rolin e numrit 9“, thekson Leonardo. /abcnews.al