Negociatat mes PD dhe PS për Reformën Zgjedhore duket se kanë vijuar gjatë këtyre ditëve duke u finalizuar me takimin e sotëm, i cili për mënyrën si u organizua dhe po zhvillohet plotëson kushtet e maxhorancës dhe opozitës.
Në daljen e tij për mediat gjatë mesditës së sotme, Lulzim Basha numëroi tre kushte të opozitës për vijimin e diskutimeve për Reformën Zgjedhore, ku njëra prej tyre ka të bëjë pikërisht me vendin ku do të mbahen takimet.
Lexo edhe: Ishin marrë vesh më parë, zbardhen konkluzionet e takimit maxhorancë-opozitë
PD ka kërkuar që takimet të mbahen në një tryezë jashtë Parlamentit dhe ky kusht është pranuar nga PS duke marrë një lëshim ndërkohë nga demokratët.
Këta të fundit kanë pranuar të ulen me Damian Gjiknurin në tryezë duke u bërë kështu 1-1.
Ndërkohë, prania e Rudina Hajdarit në tryezë, e njohur edhe si personazh i promovuar nga ndërkombëtarët tregon se e gjithë kjo formulë dhe gjetja e pikave të përbashkëta mes opozitës dhe maxhorancës është sponsorizuar nga ndërkombëtarët.
Për të bërë këtë rakordim, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi janë takuar në mënyrë sekrete gjatë ditëve të fundit për të ardhur në ditën e sotme ku papritur, Lulzim Basha mbledh aleatët dhe u tregon se për çfarë është rënë dakord.
Duket se palët kanë ndërmend një marrëveshje për Reformën Zgjedhore dhe “lajmësit” janë ulur, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse do të realizohet me sukses edhe “krushqia”.
Tre kërkesat e pëfaqësueve të opozitës në takimin e sotëm për reformën zgjedhore:
1. Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.
2. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.
3. Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike. /abcnews.al