Presidenti amerikan Donald Trump shprehu mbështetje për protestuesit iranianë që dolën në rrugë pas rrëzimit “aksidental” të avionit ukrainas në Teheran.
“Për njerëzit e guximshëm dhe të përvuajtur të Iranit: Unë kam qëndruar me ju që nga fillimi i presidencës sime dhe administrata ime do të vazhdojë të qëndrojë me ju”, tha Trump në Twitter.
Protestat shpërthyen në Teheran dhe qytete të tjera kundër liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei pasi Irani pranoi se “gabimisht” qëlloi aeroplanin e pasagjerëve që i përkisnte Linjës Ajrore të Ukrainës.
Sipas New York Times, bazuar në disa video, disa protestues kanë brohoritur “Khamenei është vrasës”.
“Ne po ndjekim protestat tuaja nga afër dhe jemi të frymëzuar nga guximi juaj”, tha Trump.
Mesazhin e tij Trump e postoi edhe në gjuhën perse.
Në një postim tjetër, Trump i kërkoi Teheranit të lejonte grupet e të drejtave të njeriut të monitorojnë demonstratat, duke thënë se bota po i shikon protestat.
“Qeveria e Iranit duhet të lejojë që grupet e të drejtave të njeriut të monitorojnë dhe raportojnë fakte nga terreni në protestat e vazhdueshme nga populli iranian. Nuk mund të ketë një masakër tjetër të protestuesve paqësorë, as mbyllje të internetit. Bota po shikon”, ka shkruar Trump.
Të gjithë 176 personat në bordin e avionit të rrëzuar, përfshirë 57 kanadezë, humbën jetën në aksidentin që ndodhi menjëherë pas ngritjes nga Teherani të mërkurën.
Nga pasagjerët, 138 po fluturonin nga Teherani për në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, prej ku do të vazhdonin për në Kanada përmes fluturimeve lidhëse.
Disa orë para rrëzimit, Irani gjuajti raketa balistike në drejtim të bazave në Irak ku janë të vendosura trupat amerikane dhe ato të koalicionit. Sulmi ishte në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga ana e SHBA-së.
Zyrtarët iranianë thanë se ushtria e saj ishte në gatishmëri të lartë pas zhvillimeve dhe kjo shkaktoi që sistemet e mbrojtjes iraniane ta regjistronin avionin si raketë armiqësore.
Avioni u ngrit dhe fluturoi afër në një “vend të ndjeshëm ushtarak” dhe u rrëzua për shkak të një “gabimi njerëzor”, ka deklaruar Irani.
“Gabimi njerëzor në një kohë krize të shkaktuar nga aventurizmi amerikan çoi në katastrofë”, ka shkruar ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif në Twitter./abcnews.al