Një tërmet me magnitudë paraprake 5.0 ka goditur mëngjesin e së shtunës zonën e Manhattan Beach, në Kaliforni, duke shkaktuar lëkundje të forta në rajonin e Los Anxhelosit. Tërmeti jo vetëm që tronditi banesat dhe ndërtesat, por ndërpreu edhe uljen e një avioni pasagjerësh në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit, vetëm pak çaste përpara se ai të prekte pistën.
Avioni i kompanisë Delta Air Lines po afrohej për ulje kur kontrollorët e trafikut ajror urdhëruan pilotin të ndërpriste manovrën dhe të ngrihej sërish në ajër. Pasagjerët mbetën në fluturim, ndërsa avioni ndryshoi trajektore për të shmangur uljen gjatë lëkundjeve të tokës.
Ndërkohë, në tokë, tërmeti shkaktoi momente paniku. Banorët u përballën me lëkundje të forta, ndërsa sendet brenda banesave ranë në dysheme.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, epiqendra e tërmetit ishte rreth 5 kilometra në jugperëndim të Manhattan Beach. Lëkundjet u pasuan nga disa pasgoditje, ndërsa autoritetet paralajmëruan se ato mund të vijojnë për minuta, orë apo edhe ditë pas tërmetit kryesor.
Departamenti i Zjarrfikësve në Los Anxhelos aktivizoi protokollin e emergjencës për tërmetet, duke angazhuar personel nga 106 stacione zjarrfikëse për të kontrolluar ndërtesat dhe infrastrukturën dhe për të evidentuar dëme të mundshme.
Megjithatë, deri në raportimet e para, nuk kishte njoftime për persona të lënduar apo dëme materiale në qytetin e Los Anxhelosit. Edhe autoritetet e Manhattan Beach u kërkuan banorëve të qëndrojnë të përgatitur për pasgoditjet, ndërsa konfirmuan se nuk kishte rrezik për cunam.


