Qeveria britanike konfirmon zyrtarisht se sistemet e pensioneve dhe përfitimeve sociale janë goditur nga një sulm kibernetik. Departamenti për Punë dhe Pensione bëri të ditur se bëhet fjalë për një tentativë për akses të paautorizuar në sistemet e tij, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkallën dhe rrethanat e incidentit.
Në një deklaratë zyrtare, departamenti thekson se ka aktivizuar menjëherë protokollet e sigurisë për përballimin e situatave të tilla.
Sulmi detyroi autoritetet të ndërpresin disa prej shërbimeve online, përfshirë portalet ku qytetarët kontrollojnë pensionin shtetëror, aplikojnë për përfitime për aftësinë e kufizuar apo paraqesin kërkesa për ndihmën sociale.
Sistemet e brendshme të departamentit u rikthyen në funksion të premten, duke u mundësuar punonjësve të vijonin punën, por shërbimet publike online mbetën jashtë funksionit edhe përgjatë të shtunës
Pasojat e sulmit ndihen drejtpërdrejt te mijëra qytetarë britanikë, të cilët kanë mbetur përkohësisht pa akses në shërbimet online të pensioneve dhe përfitimeve sociale. Pensionistët nuk mund të kontrollojnë normalisht informacionet e tyre, ndërsa përfituesit e ndihmës sociale nuk arrijnë të hyjnë në llogaritë personale, të raportojnë të ardhurat mujore apo të përditësojnë të dhënat e tyre.
Megjithatë, qeveria britanike ka garantuar se pagesat e pensioneve dhe përfitimeve sociale do të vijojnë normalisht. Departamenti kryen rreth 2.5 milionë pagesa çdo ditë, ndërsa paralajmëron se mund të krijohen vonesa në përpunimin e disa pagesave manuale.
Qytetarëve që përballen me vështirësi urgjente u është kërkuar të kontaktojnë linjat zyrtare të ndihmës. Ministria e Punës dhe Pensioneve ka konfirmuar gjithashtu se askush nuk do të penalizohet për mosplotësimin e detyrimeve gjatë kohës që shërbimet online janë jashtë funksionit.
Deri më tani, qeveria britanike thotë se nuk ka prova për sulme të ngjashme ndaj departamenteve të tjera. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj tentativave për mashtrim që mund të shfrytëzojnë situatën, duke theksuar se institucionet nuk kërkojnë përmes mesazheve apo lidhjeve online konfirmimin e të dhënave bankare.


