Nuk e kanë kapur qiellin me dorë, por kanë përse të mburren.
Futbollistët e Romës nuk kanë fanelën e një Milani, Interi apo Juventusi, ndaj edhe një pikë në “gojën e ujkut” nuk është aspak gjë e vogël.
Paris SG u ndal në “Parkun e Princave” në një barazim spektakolar 2-2, rezultat që vlen më shumë për besimin e italianëve në veten e tyre, sesa për të tronditur kampionët e Europës në fuqi.
Roma luajti mirë, dhe thuajse ishte e barabartë me parizienët, edhe pse vendasit mbajtën topin shumë më tepër, 66 për qind.
Edhe pse PSG pati mungesa, si Kviça Kvarackelian, sërish klasi në fushë ishte i mjaftueshëm për gjithçka.
Hakimi, Dembele, Majulu, Vitinja, Nevesh apo Ruiz janë disa prej tyre.
Verdhekuqtë kaluan përpara kur Mario Hermoso realizoi që në 5’, ndërsa Zabarnji barazoi pasi kaloi një gjysmë ore lojë.
Në pjesën e dytë, u duk se francezët po fitonin kur Usman Dembele realizoi me penallti, por Roma jo më kot pati në fushë një sulmuesi si Doniel Malen.
Holandezi barazoi në 78’ po me penallti, duke shënuar në ndeshjen e katërt radhazi në Champions.
“Jemi kthyer, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – pas fitoreve të Romës dhe Interit! Gasperini është në nivelin e kampionëve! Një barazim i pabesueshëm në Paris!”
“Il Korriere delo Sport” I jep kopertinën në radhë të parë Interit dhe Lautaro Martinezit, ndërsa shkruan: Roma në lartësinë e duhur, ndalon PSG-në dhe i afrohet fitores! Kjo është dora e Gasperinit!”
“L’Ekip” në Francë natyrisht që është në hare për shkak të fitores së madhe të Lilës, e kampionët e Europës kanë pak fjalë: Parisi ngadalëson!
PSG është në vendin e dytë në Champions me 13 pikë, ndërsa romanët ende në pozita të vështira në vendin e 25-të, ende jashtë zonës së plej ofit.



