Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është ndëshkuar rëndë nga UEFA, pas incidenteve të regjistruara në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, të zhvilluar më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshja, e cila përfundoi pa gola (0:0), në kuadër të Ligës B të Kombeve, i ka kushtuar federatës kosovare një gjobë prej gjithsej 42 mijë e 250 eurosh.
Sipas vendimit të Organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s, masat ndëshkuese lidhen me disa incidente gjatë takimit, përfshirë transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive, sjelljet e cilësuara si raciste ose diskriminuese, hedhjen e gjësendeve në fushë, si dhe fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Izraelit.
Nga shuma e përgjithshme e gjobës, 20 mijë euro janë shqiptuar për transmetimin e mesazhit të papërshtatshëm, 10 mijë euro për sjelljet raciste ose diskriminuese, 10 mijë euro për shqetësimet gjatë intonimit të himneve kombëtare dhe 2.250 euro për hedhjen e gjësendeve në fushë.
Përveç gjobës financiare, UEFA ka vendosur edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit për ndeshjen e ardhshme si vendase në një garë të organizuar nga kjo organizatë. Megjithatë, ky sanksion është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh.
Kjo do të thotë se Kosova nuk do të jetë e detyruar ta zbatojë menjëherë mbylljen e tribunës përkatëse, por masa mund të hyjë në fuqi nëse gjatë periudhës së provës përsëritet një shkelje e ngjashme.
Vendimi i UEFA-s përbën një goditje të kushtueshme financiare për FFK-në, ndërsa njëkohësisht e vë federatën kosovare përballë paralajmërimit se çdo përsëritje e incidenteve të ngjashme mund të sjellë pasoja edhe më të rënda.



