Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga Pogradeci në Wall Street/ Shqiptari përzgjidhet mes 40 yjeve të rinj të financës në SHBA

schedule12:10 - 18 Nëntor, 2026

schedule 12:10 - 18 Nëntor, 2026

Një djalë me origjinë nga Pogradeci, një diplomë në New York dhe një karrierë në një prej qendrave më të rëndësishme financiare të botës. Johan Vako është shqiptari që po spikat në industrinë financiare amerikane, duke u përzgjedhur në vitin 2026 mes 40 profesionistëve të rinj më premtues të financës nga revista prestigjioze InvestmentNews.

Rrugëtimi i tij në botën e financës nisi me studimet në Baruch College, në New York, ku u diplomua në degën Finance në vitin 2018. Pas përfundimit të studimeve, ai ndërtoi hap pas hapi karrierën në një industri konkurruese, ku besimi, përvoja dhe përgjegjësia janë po aq të rëndësishme sa njohuritë profesionale.

Sot, Johan Vako mban pozicionin e zëvendëspresidentit për menaxhimin e pasurisë në Wall Street Alliance Group, një kompani e specializuar në këshillimin financiar dhe menaxhimin e investimeve, e cila në maj të vitit 2026 deklaroi se kishte arritur në 1.3 miliardë dollarë asete nën këshillim.



Me më shumë se 10 vite përvojë në industrinë financiare dhe certifikimin ndërkombëtar CFP, Vako këshillon individë, familje dhe sipërmarrës për investimet, planifikimin e pensionit, taksat dhe ruajtjen e pasurisë.

Por, për të, financa nuk është thjesht një botë numrash, grafikësh dhe investimesh. Ajo lidhet mbi të gjitha me njerëzit, me besimin që klientët vendosin tek ai dhe me përgjegjësinë për t’i ndihmuar të marrin vendimet e duhura për të ardhmen e tyre.

Përzgjedhja në listën Rising Stars të InvestmentNews për vitin 2026 përbën një nga vlerësimet më të rëndësishme të karrierës së tij deri më sot. Një njohje për përkushtimin dhe rezultatet, por edhe një motivim për të ecur më tej.

Dhe ambicia e Johan Vakos nuk ndalet vetëm te suksesi personal. Ai synon të ndajë përvojën e tij dhe të ndihmojë edhe profesionistët e rinj që duan të ndërtojnë një të ardhme në botën e financës.
Një histori që nis në Pogradec dhe vazhdon në Wall Street, aty ku një shqiptar po fiton vendin e tij mes emrave të rinj që premtojnë të lënë gjurmë në financën amerikane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!