Një çift korçar, dy duar të specializuara dhe kryevepra arti që kanë sfiduar shekujt. Ilir dhe Anila Shaholli janë restauratorët shqiptarë që kanë lënë gjurmë në restaurimin e disa prej veprave më të rëndësishme të Mesjetës dhe Rilindjes Italiane. Nga pikturat e Rafaelit dhe Andrea del Sartos, te veprat e Giovanni Lanfrancos, Mattia Pretit dhe Sebastiano Concas, puna e tyre ka qenë pjesë e projekteve të rëndësishme të institucioneve kulturore italiane.
Por rrugëtimi drejt këtyre kryeveprave nisi në Shqipëri.
Ilir Shaholli përfundoi Liceun Artistik në Tiranë në vitin 1975 dhe studimet në Akademinë e Arteve në vitin 1983. Më pas, përvoja si mësues në Liceun e Korçës do të bëhej baza e një profesioni që do ta çonte përtej kufijve.
Në vitin 1988, ai mbërriti në Itali për të konkurruar në një prej shkollave më të specializuara të restaurimit. Mes rreth 900 kandidatëve, Iliri dhe një student francez arritën të fitonin konkursin.
Në vitin 1992, ai përfundoi kualifikimin në Institutin Qendror të Restaurimit në Romë, duke hapur një kapitull të ri profesional.
Anila, e diplomuar në skulpturë, iu bashkua më vonë rrugëtimit të tij. Ajo u bë pjesë e stafit të Ilirit, duke mësuar dhe zhvilluar mjeshtërinë e restaurimit në një fushë ku çdo ndërhyrje kërkon njohuri, durim dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme.
Së bashku, ata kanë punuar në Galerinë Kombëtare të Artit Antik në Palazzo Barberini, në Romë, ku kanë restauruar vepra që i përkasin shekujve XIV, XV, XVI dhe XVII.
Mes tyre, piktura të rëndësishme si “La Sacra Famiglia” e Andrea del Sartos, si dhe vepra të artistëve të tjerë të mëdhenj të artit italian.
Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të Ilirit ishte restaurimi i veprës “Deposizione” të Rafaelit, e vitit 1507, pjesë e koleksionit të Galleria Borghese në Romë.
Një kryevepër që kërkonte jo vetëm njohuri të thella teknike, por edhe një ndjeshmëri të veçantë për të ruajtur trashëgiminë e një prej emrave më të mëdhenj të Rilindjes.
Puna e çiftit Shaholli nuk është kufizuar vetëm në pikturat mbi panel druri apo pëlhurë.
Ata janë përfshirë edhe në restaurimin e afreskeve, dekorimeve murale dhe elementeve artistike në ndërtesa historike, përfshirë Villa Torlonia në Romë dhe kisha të rëndësishme italiane.
Çdo projekt është një sfidë më vete, ku restauratori duhet të ruajë origjinalitetin e veprës, pa cenuar historinë që ajo mbart. Për Ilir dhe Anila Shahollin, restaurimi nuk është thjesht një profesion.
Është një mision për të shpëtuar kujtesën e artit, për të ruajtur trashëgiminë e së kaluarës dhe për t’ua përcjellë atë brezave të ardhshëm.
Dhe në këtë mision, dy restauratorët korçarë kanë arritur të bëhen pjesë e historisë së vetë kryeveprave që kanë prekur. Nga Korça në Romë, nga Akademia e Arteve te Rafaelit dhe mjeshtrit e Rilindjes, historia e tyre dëshmon se talenti shqiptar mund të lërë gjurmë edhe në thesaret më të çmuara të artit botëror./abcnews.al


