Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se FBI po heton çështjen që përfshin drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe një grua të dyshuar si spiune kineze.
Trump bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me Huang të hënën, pas raportimeve se shërbimet amerikane të inteligjencës besonin se drejtuesi i kompanisë ishte vënë në shënjestër të një operacioni spiunazhi nga Kina.
Sipas Trump, Huang i kishte thënë se nuk kishte pasur dijeni për identitetin apo lidhjet e dyshuara të gruas. Presidenti amerikan u shpreh se i besonte versionit të tij, duke e cilësuar drejtuesin e Nvidia-s si një person të ndershëm.
“E di që FBI po heton”, deklaroi Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pa dhënë detaje të tjera mbi hetimin apo kohën kur ai ka nisur.
Nga ana tjetër, Pekini ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe të motivuara nga synimi për të dëmtuar imazhin e Kinës.
Sipas raportimeve të “New York Times”, gruaja e dyshuar, Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, dyshohet nga zyrtarët amerikanë të inteligjencës se ka punuar për Pekinin. Ajo nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s.
Alice Huang ka qenë drejtoreshë menaxhuese e kompanisë singaporiane Megaspeed, e cila ka pasur marrëdhënie biznesi me Nvidia-n.


