Suksese të tilla as nuk bindin, dhe as nuk qetësojnë. Përkundrazi. Gjithsesi, ky Milan është në një moment të tillë që duhet të fitojë sa më shumë ndeshje, të ruajë besimin dhe respektin ndaj vetes, si dhe të krijojë vazhdimësinë që nuk ta jep vetëm triumfi në derbi, sado i madh që të jetë ai.
Shtatë herë kampionët e Europës ia dolën më në fund në Serinë A, me një fitore të vështirë 2-1 në stadiumin “Luixhi Ferraris” përballë Xhenoas vendase. Sise dhe Pulishiç shënuan tepër shpejt, që në minutat 13 e 19, por kjo më shumë u duk se prishi punë.
Gjenovezët sulmuan vazhdimisht dhe ishin të rrezikshëm, edhe pse miqtë e mbajtën topin 60 për qind. Imagjinoni, që gjuajtjet në total ishin 16-6 për vendasit, dhe ato në portë 5-2.
Ky nuk është një bilanc që mund ta bëjë krenar një emër si Milani.
U desh klasi I portierit Menja, dhe fati për të shmangur më të keqen, dhe trajneri Amorim mund të marrë frymë i lehtësuar. Elerston shënoi në 88’ për Xhenoan duke rihapur ndeshjen, por nuk pati kohë për më shumë.
Skuadra kuqezi është në vendin e katërt në Serinë A me 24 pikë në 11 ndeshje, aspak keq si renditje dhe pretendimet mund të jenë jo vetëm për kualifikim në Champions, veçse edhe për titullin.
Gjithsesi, kur pësohen humbje si ajo e së enjtes ndaj Ferencvaroshit në Ligën e Europës, me shifrat 2-0 në “San Siro”, apo 4-2 po në “San Siro” ndaj Bolonjës në kampionat, besimi nuk mund të jetë aspak i plotë./abcnews.al


