TIRANË– Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku u rikonfirmua mbajtja e Samitit të ardhshëm në Tiranë.
Organizimi i këtij samiti përbën një moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, jo vetëm si vend mikpritës i forumit më të lartë politik të Aleancës, por edhe si një aleat me rol dhe përgjegjësi në rritje në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Ne biseden mes te dyve u fol edhe per sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, forcimit te bashkëpunimit strategjik brenda Aleancës dhe rolin e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përbashkëta të mbrojtjes.
Vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të bashkërendimit me NATO-n në përballimin e kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si sfida që kërkojnë një përgjigje gjithnjë e më të koordinuar mes vendeve aleate.
Një tjetër çështje me rëndësi strategjike është zhvillimi i Korridorit VIII si korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe përbën një komponent të rëndësishëm për lëvizshmërinë, gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e krahut juglindor të NATO-s. Në këtë kuadër u trajtua edhe rëndësia e projektit të Porto Romanos për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe logjistike në mbështetje të nevojave strategjike të Aleancës./abcnews.al


