Donald Trump mund të përballet me një Kongres të kontrolluar nga demokratët sipas sondazheve te fundit nga Fox News. Sipas sondazhit, 54 për qind e votuesve mbështesin demokratët për Dhomën e Përfaqësuesve, kundrejt 45 për qind që preferojnë republikanët.
Edhe në garën për Senatin, demokratët kanë një pozicion të favorshëm në projeksionin e Fox News, me 48 vende, kundrejt 45 për republikanët.
Pesë shtete mbeten vendimtare për përcaktimin e shumicës në Senat: Alaska, Iowa, Maine, Michigan dhe Texas. Sipas klasifikimit të Fox News, në këto gara asnjëra parti nuk ka një avantazh të qartë, duke e lënë të hapur betejën për kontrollin e dhomës së lartë të Kongresit
Por çfarë do të thotë humbja e shumicës në Kongres për presidentin amerikan?
Zgjedhjet e mesmandatit zhvillohen çdo dy vjet, në gjysmën e mandatit katërvjeçar të presidentit. Në këtë proces rinovohen të gjitha 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rreth një e treta e vendeve në Senat.
Këto zgjedhje nuk përcaktojnë presidentin e ardhshëm, por vendosin se cila parti do të kontrollojë Kongresin, institucionin që miraton ligjet, buxhetin federal dhe mbikëqyr administratën.
Nëse demokratët marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ata do të kenë mundësi të bllokojnë nismat legjislative të republikanëve dhe të nisin hetime parlamentare ndaj administratës Trump.
Nëse fitojnë edhe Senatin, demokratët do të kenë më shumë ndikim në miratimin e emërimeve presidenciale, përfshirë anëtarët e kabinetit dhe gjyqtarët federalë.
Kontrolli i Kongresit nga demokratët mund të sjellë gjithashtu përplasje të vazhdueshme me Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht për buxhetin dhe financimin e institucioneve federale. Mosmarrëveshjet mund të çojnë edhe në mbylljen e përkohshme të disa shërbimeve qeveritare, të njohur në SHBA si government shutdown.
Megjithatë, humbja e shumicës në Kongres nuk ia heq Trumpit kompetencat presidenciale. Ai do të vazhdojë të drejtojë administratën dhe të marrë vendime ekzekutive, por miratimi i ligjeve dhe financimi i nismave të tij do të bëhen më të vështira.
Në të kundërt, nëse republikanët ruajnë shumicën në të dyja dhomat, Trump do të ketë më shumë hapësirë për të zbatuar programin e tij politik.


