TIRANË- Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar debatin mbi çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe pretendimet lidhur me transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.
Rexhaj theksoi se në diskutimin publik për këtë çështje po lihet në hije një element thelbësor: fakti që Veliaj ndodhet në një proces gjyqësor dhe po gjykohet për një sërë akuzash.
Sipas analistit, Veliaj nuk është një person i paraburgosur pa një proces gjyqësor apo për shkak të bindjeve të tij politike, por një person ndaj të cilit po zhvillohet një proces me vendim gjykate.
Duke folur për pretendimet se Veliaj mund të konsiderohet i burgosur politik, analisti deklaroi se për të marrë këtë cilësim duhet të ekzistojë një akuzë me karakter politik, gjë që, sipas tij, nuk evidentohet në rastin konkret.
Sa i përket transferimit të të paraburgosurve, Rexhaj tha se bëhet fjalë për lëvizjen e 34 personave, ndërsa ngriti si mundësi dyshimet se disa prej tyre mund të kenë përdorur lidhjet dhe ndikimin e krijuar brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit për të ndërhyrë në procese jashtë burgut.
Në përfundim, analisti iu referua edhe vendimit për klasifikimin e çështjes si sekret shtetëror, duke theksuar se një vendim i tillë, sipas tij, nënkupton se autoritetet janë mbështetur në informacione apo arsye konkrete.
“Me shumë kujdes i kam ndjekur këto zhvillimet e ditëve të fundit. Në të gjithë këtë debat, gjithë ky diskutim, mungon një element shumë i rëndësishëm: elementi që zotëria në fjalë është duke u gjykuar. Ai ka qenë në paraburgim në pritje të gjykimit, tani është në paraburgim në proces të gjykimit me vendim gjykate.
Ky është detaji më i rëndësishëm. Ai është duke u gjykuar, nuk është Erion Veliaj një person i cili është në paraburgim pa një proces, i cili është në paraburgim për shkak të mendimit të tij politik. Detaji më i rëndësishëm është statusi i Erion Veliajt, ai është në proces gjyqësor me një numër të madh akuzash, të cilat nuk janë pak.
Që të jesh martir politik, ti duhet të jesh i burgosur për çështje politike, duhet të kesh një akuzë politike dhe unë në këtë rast nuk po e shikoj atë punë. Janë lëvizur 34 të paraburgosur.
Ekzistojnë dyshime se këta persona të burgosur kanë përdorur shoqëritë që kanë pasur me të tjerë në ato institucionet ku ata kanë qenë dhe kanë ndikuar në procese jashtë burgut dhe si masë është vendosur që ata të gjithë të lëvizin. Kjo është një teori, sa është e vërtetë kjo? Këtë nuk e di. Ekziston ai vendimi për sekret shtetëror, që do të thotë se është bazuar në diçka”, tha ai./abcnews.al


