Një Dajë nuk po fiton, por po e bën një tjetër.
Djali I Ilir Dajës, Gleni, arriti fitoren e dytë me përmbysje në stolin e Elbasanit, një sukses që e ngjiti në vendin e katërt në Superligë, por që nuk I shpëtoi polemikave.
Në Arenën elbasanase, ishin kurbinasit që kaluan të parët në epërsi falë golit shumë të bukur nga Traore, njëri nga më të mirët në fushë.
Ishte minuta e 8-të, por për fatin e vendasve, reagimi erdhi shpejt.
U fitua penallti nga Nikaj, dhe atë e ktheu në gol mesfushori Mazari.
Më pas, Elbasani shënoi edhe golin e dytë, sërish me Mazarin, por që u gjykua në pozicion jashtë loje, dhe vendimi I anësorit e I gjyqtarit duket se qendron.
Më pas, vazhdoi një përplasje e fortë mes të dyja skuadrave, që patën rastet e tyre, dhe që mund të kishin shënuar më shumë.
Natyrisht, verdheblutë ishin më afër fitores, por edhe kurbinasit nuk mbetën prapa.
Pas pushimit, ishin të besuarit e Dajës që bënë më shumë, krijuan raste dhe goditën shtyllën, ndërsa avantazhi ishte logjik.
Në 67’, mbrojtja mike gaboi dhe Mazarit iu krijua një rast I pastër nga Diallo.
Heroi vendas nuk gaboi për 2-1.
Vazhduan sulmet e kundërsulmet nga të dyja palët, ndërsa Laçi I trajnerit Qatim Osmani u duk se mori barazimin e drejtë në minutën e pestë shtesë.
Për fat të keq, goli nga Traore nuk u quajt sepse arbitri Yzeiraj kishte vërshëllyer që më parë.
Nuk është se u kuptua se përse ai ndërhyri në aksion e sipër.
Në ndeshjen tjetër të javës së 10-të të Superligës, Skënderbeu e Vllaznia barazuan 1-1 në stadiumin e Korçës.
Rastet ishin të shumta, dhe shkodranët kërkuan më shumë se një herë penallti, ndërsa golat u shënuan nga Bismark për vendasit në 37’ dhe Balaj në 67 për miqtë.
Pas këtyre sfidave, Elbasani është I katërti me 14 pikë, dy më pak se Dinamo, Laçi në vend të gjashtë me 11, po aq sa Skënderbeu, ndërsa Vllaznia e parafundit me 9 pikë.


