Fitore si e Pirros, por gjithsesi sukses.
Egnatia është rikthyer si skuadra më e mirë e Superligës, që në fundin e fazës së parë dhe tani në nisjen e së dytës.
Kampionët në fuqi të vendit patën forcën dhe karakterin që të përmbysnin humbjen në triumf, duke mundur 2-1 Tiranën në Arenën e Rrogozhinës, në një duel që trajneri Nevil Dede e fitoi ndaj kroatit Klafuriç.
Tekniku kryeqytetas u qa për mungesat pas ndeshjes.
Rekordmenët e titujve kaluan në epërsi në 4’ me golin e Hazrollajit, në një nisje shumë të mirë.
Më pas nis presioni i vendasve.
Raste pas rastesh për kampionët, dhe në 20’ Lukili barazoi në 1-1.
Dedikimi i tij ishte për mbrojtësin e dëmtuar, Sota, ndonëse Egnatia vazhdoi të kishte fat të tmerrshëm për lëndimet.
Mbrojtësi me përvojë, Bitri, u detyrua të lerë fushën e lojës në 33’, një goditje e rëndë ndërsa të enjten është ndeshja e radhës në Ligën e Konferencës, në Rumani ndaj Universitateas së Krajovës.
Pas Bitrit, pranë fundit të pjesës së dytë u zëvendësua për dëmtim edhe njëri nga sulmuesit kryesor, Gruda, që hyri pas pushimit, dhe shpresohet që problemet të mos jenë të mëdha.
Kampionët luajtën më mirë pas pushimit, ndonëse goli I fitores erdhi vonë.
Pas përpjekjeve nga Lukili, Albaneze apo Adjesa, ishte Diabate që realizoi në mënyrë të shkëlqyer.
Egnatia mban vendin e parë në Superligë pas 10 javëve, me 24 pikë ndaj 20 të Teutës, që nuk e ka luajtur ende ndeshjen e saj.
Skuadra nga Rrogozhina është e qartë që synon titullin e katërt kampion radhazi./abcnews.al


