Më pak se dy orë ka zgjatur takimit ndërmjet liderëve të LVV-së dhe LDK-së, të cilët as në ditën e tretë me gjasë nuk arritën të merren vesh.
Megjithëse në takimin e djeshëm, të dy subjektet shfaqën shenja optimiste, kjo gjë nuk ndodhi.
Pas takimit asnjëri nga liderët e këtyre dy partive politike nuk kanë folur për media. Madje as zëdhënësit e tyre nuk kanë njoftuar asgjë duke lënë kështu mediat në mjegull.
Asnjë takim i ri nuk është caktuar, ndërkohë që nuk dihet se cili do të jetë epilogu i përpjekjes treditore.
Ndërkohë ka kaluar tashmë afati 48 orësh i caktuar nga presidenti që Lëvizja Vetëvendosje duhet të dërgonte emrin e të mandatuarit.
Ndonëse burime nga zyra e presidentit bëjnë me dije se ditëve në vazhdim, nëse nuk ka marrëveshje, ai do të ndërmarrë veprimet e tij konform kushtetutës, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani ka thënë se fituesi i zgjedhjeve është ai që e përcakton dinamikën e zgjedhjes së qeverisë e jo presidenti.
Kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë. LVV e LDK ende nuk kanë gjetur një formulë të përbashkët për bashkëqeverisje./abcnews.al