I ftuar në studion e Abc News me gazetarin Endri Xhafo, kreu i republikanëve Fatmir Mediu foli mes të tjerash edhe për reformën zgjedhore.
Teksa opozita nuk e njeh komisionin e Reformës Zgjedhore me bashkëkryetar Damian Gjiknurin, Mediu tha se “edhe sikur të shkoj në komision nuk e sheh si defekt”. Sipas tij, kredibiliteti qëndron në atë çfarë realizon.
“Kundërshtarin politik ti nuk e zgjedh dot. Ti mund të duash të mos e shohësh, por ai është atje jo për shkakun tënd, është për shkakun e pozicionit që ka. Unë them që ajo që është e rëndësishme për opozitën, është produkti. Pra ne duhet të tentojmë që të nxjerrim produktin.
Unë jam që edhe sikur të shkoj në komision nuk e shoh si defekt. Kredibiliteti qëndron në atë çfarë ti realizon.
Nga 2001-2005, ka pasur tre veprime të rëndësishme të opozitës. E para ka qenë lëvizja, Shqipëria në udhëkryq, ku ne diskutonim në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pas asaj ishte një lëvizje tjetër politike “Nano ik”, nuk iku Nano se dolën ne në protestë në vitin 2002, por në vitin 2005 ne krijuam premisë që të gjithë shqiptarët menduan që Nano duhet të ikte dhe po ashtu nuk lamë jashtë vëmendjes Reformën Zgjedhore’, tha Mediu.
Më herët Mediu u ndal edhe te tryeza e organizuar sot nga ky i fundit, ku ishte i pranishëm edhe gjenerali i NATO-s, Michael Barbero, për të diskutuar për pasojat e konfliktit Iran-SHBA.
Duke u bazuar në deklaratën e Barbero, i cili tha se “çdo mik i SHBA-ve, konsiderohet si një shënjestër e Iranit”, Mediu u shpreh në studio se duhet të jemi të përgatitur.
“Gjithë kjo që ndodh në Amerikë tregon funksionimin e një shteti. Edhe në Shqipëri ka nëvojë për ndërveprim institucional. Ne kemi një prezencë të madhe të rezistencës iraniane në Shqipëri dhe kjo është parë gjithnjë si rrezik nga Irani. Për këtë arsye është përzënë edhe ambasadori, pra do të thotë që kemi qenë tagër edhe më përpara”, tha Mediu.
I pyetur nga gazetari nëse e lidhte me Shqiperinë deklaratën e tij udhëheqësi suprem i Iranit, kreu i republikanëve e aprovoi një gjë të tillë.
“Absolutisht, tha një vend i vogël. Ne nuk jemi si Amerika, por nuk do të thotë që nuk mund t’i kemi strukturat formale. Ne nuk jemi në NATO se duhet të na mbrojë, ne duhet të ndërtojmë një strukturë ndërvepruese që të paktën të mimizojmë efektet e një goditje të mundshme. Këtu nuk duhet të ndahemi, por duhet të jemi në një zë. Ka ardhur koha që duhet ti mendojmë disa gjëra seriozisht. E dëgjova kryeministrin që tha ne na mbron NATO. Ne nuk mund të mendojmë këtë, që nuk na sulmojnë se jemi në NATO”, tha ai, teksa shtoi se as SHBA nuk e ka luksin të injorojë një deklaratë të tillë nga Ali Khmanei.
“As Amerika nuk e ka luksin për të injoruar një veprim të tillë. E para shërbimet tona duhet të bëjnë një analizë të thellë. Ka disa verpime që kryhen. Ne duhet të jemi të përgatitur. Çështja është e analizës së këtij informacioni. Djalli fshihet në detaje. Duhet t’i vlerësojnë informacionet që vijnë”, deklaroi Mediu./abcnews.al