Shqipëria po avancon me disa projekte të rëndësishme për modernizimin e transportit hekurudhor. Linja Tiranë-Durrës dhe lidhja me Aeroportin e Rinasit është drejt përfundimit. Punimet për rehabilitimin e linjës dhe ndërtimin e stacioneve janë në fazat e fundit, ndërsa elektrifikimi pritet të përfundojë brenda vitit 2027.
Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi tha se tashmë kanë nisur diskutimet për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve
Një tjetër projekt me rëndësi është linja Vorë-Hani i Hotit, me gjatësi rreth 120 kilometra. Rehabilitimi i saj do të krijojë lidhjen hekurudhore me Malin e Zi dhe rrjetin evropian. Procesi i vlerësimit të ofertave është drejt përfundimit dhe fituesi pritet të shpallet brenda këtij viti.
Ndërkohë edhe linja Durrës-Rrogozhinë pritet të hyjë në fazën e zbatimit. Projekti është pjesë e Korridorit VIII dhe rrjetit TEN-T të Ballkanit Perëndimor. Tre projektet synojnë të krijojnë një rrjet hekurudhor më të shpejtë dhe më të lidhur me vendet e rajonit dhe Evropën.


