Cili sistem zgjedhor i përshtatet më mirë kushteve shqiptare, përgjigjet ish-kreu i KQZ Ilirjan Celibashi

schedule19:30 - 8 Janar, 2020

schedule 19:30 - 8 Janar, 2020

I ftuar në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo ishte ish-kreu i KQZ Ilirjan Celibashi.

Sipas Celibashit debati për zgjedhjet është i përshtatshëm për kohën derisa zgjedhjet e përgjithshme politike janë ende larg.

Po ashtu Celibashi, si jurist dhe si një nga profesionistët e fushës së sistemit zgjedhor tha se, Shqipërisë do ti përshtatej më mirë, një sistem zgjedhor i pastër mazhoritar, nëse kërkohet vërtetë që qytetarët të votojnë për ata kandidatë që duan.

Pjesë nga biseda në studio:

Ilirjan Celibashi: Momenti është i përshtatshëm deri diku, për ta bërë këtë debat, të paktën formalisht derisa jemi ende larg zgjedhjeve të përgjithshme politike, do të ishte e udhës që të interesuarit për reformën zgjedhore të dakordësoheshin, sipas mënyrës së tyre për këtë çështje. Rrallë është rekomanduar nga OSBE/ ODIHR ndryshimi i sistemit zgjedhor, dhe kur është rekomanduar diçka e tillë është bërë vetëm atëherë kur është parë se ai sistem zgjedhor nuk i është përshtatur, sistemit politik, momentit politik, apo dhe stadit të zhvillimit politik të një vendi të caktuar. Gjithsesi asnjë sistem zgjedhor nuk është antidemokratik në vetvete. Sistemi proporcional që ne kemi aktualisht, për mendimin tim, i dha mundësinë Partisë Socialiste në 2017 të siguronte e vetme mbi 70 mandate. Probabiliteti është shumë i ulët që me këtë sistem që kemi të kemi një parti të vetme që të marrë e vetme mbi 70 mandate, pra nuk jep mundësinë që një forcë politike të marrë shumicë absolute të votave në kuvende por nga ana tjetër për mendimin tim ky sistem nuk siguron një përfaqësim shumë të gjerë. Ky sistem të jep mundësinë që të kesh 3 ose 4 parti politike, pra nuk kemi një parlament aq pluralist.

Endri Xhafo: Cili sistem mendoni ju, për politikat sociale, ekonomike politike të Shqipërisë do të ishte më i përshtatshëm për kushtet tona?

Ilirjan Celibashi: Deklarimi i Partisë Demokratike është i logjikshëm, realist dhe i vërtetë. Është cështje preferencash, cështje interesash poltike, nuk ka asgjë të kritikueshme që dikush e sheh veten të arrirë në qëllimet e veta politike, me një sistem zgjedhor të caktuar. Për mendimin tim, jo për shkak të parapëlqimit personal, shqipërisë do ti përshtatej më mirë sistemi zgjedhor që ne kemi patur, patjeterë duke bërë disa korrektime, për të evituar ato fenomene negative të vërejtura në aplikimin e atij sistemi. Pra sistem votimi për 100 kandidatë në zonat zgjedhore, një emërore, mundësia që në 40 mandate, me shumë a më pak, të votohej për partitë politike. Në këtë mënyrë, nga njëra anë sigurohet, nëpërmjet votimit të drejtëpërdrejtë për kandidatët në zonat zgjedhore njëemërore, pasjen e një qeverie më të fortë, dhe nga ana tjetër partitë politike të cilat janë të vogla, nga pikëpamja politike, nuk kanë mundësinë që të marrin deputetë drejtpërsëdrejti, por votat e tyre nuk shkojnë kot, sepse i marrin këto mandate nga mandatet përfaqësuese. Në këtë mënyrë sigurohet përfaqësimi më pluralist në parlament. Nëse sjellim në kujtesën tonë parlamentin e vitit 2001 dhe të 2005, patëm qeveri të qëndrueshme, qoftë të PS, qoftë të PD, edhe pse ato e ndanë tortën e pushtetit pa qenë të detyruara nga pikëpamja e numrave, me aleatët e tyre, dhe nga ana tjetër kishim një pluralizëm më të madh të përfaqësimit të partive politike. Sistemi më ideal, për mua do të ishte sistem i pastër mazhoritar, nëse duam vërtetë që qytetarët të votojnë për atë kandidatë që duan, pastaj sa problematik është implementimi i këtij sistemi në terrenin politik shqiptar, ky është një diskutim tjetër./abcnews.al