Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovëse dhe sot nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion.
Prej më shumë se tre orë diskutimesh, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk kanë arritur që të bien dakord dhe të nënshkruajnë marrëveshjen për të bashkëqeverisur vendin.
Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, pas përfundimit të takimit u shpreh se janë afër përfundimit të marrëveshjes dhe se nesër do të ketë edhe një takim të radhës mes të Kurtit dhe Mustafës.
“Takimi që ka filluar në ora 15:00 sapo ka përfunduar. Kemi një lëvizje në përpjekje për të arritur marrëveshjen në mes të dy palëve. Do të kemi natyrisht edhe një takim të radhës nesër dhe për detaje do të njoftoheni nesër”, u shpreh Mustafa.
Takimin e nesërm e ka konfirmuar po ashtu edhe VV.
“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim. Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër”, shkruan VV në një postim në Facebook./abcnews.al