Trafiku i 613 kg kokainë / Debate në seancën gjyqësore, Arbër Çekaj përplaset me Prokurorin

schedule16:52 - 8 Janar, 2020

schedule 16:52 - 8 Janar, 2020

I akuzuari kryesor për trafikun e 613 kg kokaine Arbër Çekaj debatoi ashpër në seancën gjyqësore me prokurorin e çështjes Edvin Kondili, për të cilin kërkoi largimin nga procesi. Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga trupa gjykuese. Gjykata e posaçme shtyu për në 23 janar mbrojtjen dhe vendimin për Arbër Çekajn dhe dy të pandehurit e tjerë

Seanca kur pritej të bëhej mbrojtja dhe të jepej vendimi për Arbër Çekjan, Armando Pezakun dhe Donaldo Lushajn të akuzuar për trafikimin e 613 kilogramë kokainë u shty, për në 23 Janar.

Gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatën e Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pasur debate të ashpra dhe lumë akuzash nga pronari i “Arbi Garden” në drejtim të prokurorit Edvin Kondili.

I dyshuar për transportin e sasisë rekord të kokainës të kapur ndonjëherë në vendin tonë Arbër Çekaj u shpreh në seancë:

“S’mund të vazhdoj këtë proces gjyqësor me këtë zotëri që kam përballë, Prokurori përhapi lajme se unë kam folur dhe nxjerrë emra të tjerë, duke vënë në rrezik jetën e familjarëve të mi edhe të babait të moshuar. Unë s’do ta bëja këtë për familjen e prokurorit. Unë jam në burg, se jam prej Tropojë. Se kam pas një mbiemër, (Kuliçaj) që si pëlqen prokurorit. Ai e ka personale me familjen time. Nëse SPAK s’ka prokurorë të tjerë, propozoj një nga Serbia meqë tani kemi dhe marrëdhënie të mira. Nuk e di çfarë keni me mbiemrin Kuliçaj por do vij edhe e drejta ime në rrugë ligjore”.

Prokurori  ka reaguar në seancë duke iu përgjigjur Çekajt se nuk ka frikë nga kërcënimet e tij. Avokatët kërkuan pezullim të gjykimit derisa KLP të shprehet për përjashtimin e Edvin Kondilit nga ky proces.

Por Gjykata e posaçme, e përfaqësuar nga Danjela Shirka, Etleva Deda dhe Ilirjana Olldashi rrëzoi kërkesën e avokatëve për pezullim të procesit gjyqësor.

Gjykata e posaçme rrëzoi kërkesën e 3 të dyshuarve që kërkonin lirinë me argumentin se gjykata ka ndryshuar status, dhe sipas ligjit duhet të ishte bërë rivlerësimi i masës së sigurisë.

Gjatë  leximit të pretencës  në seancë e kaluar prokurori Kondili kishte kërkuar 21 vite burg për Arbër Çekjan, 16 vite burg për Donaldo Lushajn dhe 13 vite burg për Armando Pezakun.

Në aplikim  të gjykimit të shkurtuar 3 të dyshuarve u ulet 1/3 e dënimit që do tu caktohet nga gjykata./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!