Tiranë – Kryeministri Edi Rama deklaroi se paketa e re e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale synon të sjellë më shumë ekuilibër në sistemin e drejtësisë dhe të forcojë prezumimin e pafajësisë në procesin penal.
Gjatë prezantimit të paketës, Rama u shpreh se ndryshimet përfaqësojnë një hap të ri në konsolidimin e reformës në drejtësi, duke vënë theksin te barazia e qytetarëve përpara ligjit.
“10 vjet më parë i dorëzuam gjyqësorit shpatën e ndëshkimit, që për 100 vjet kishte qëndruar në dorën e pushtetit politik. Sot duam të bëjmë një hap tjetër, më modest në përmasa. Duam t’i japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëjë ligjin mbi drejtësinë, por drejtësia të jetë fuqia e barazisë së ligjit para të gjithëve”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, ky parim qëndron në themel të paketës së re të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.
Rama theksoi gjithashtu se, pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale në vitin 1995 dhe ndryshimeve të ndërmarra në kuadër të reformës në drejtësi, kjo është ndërhyrja e parë që, sipas tij, e trajton në mënyrë të plotë prezumimin e pafajësisë në procesin penal.
“Ky është thelbi i paketës së re që prezantojmë sot. Pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale në 1995 dhe ndryshimeve të reformës në drejtësi, kjo është ndërhyrja e parë që trajton në mënyrë të plotë prezumimin e pafajësisë në procesin penal”, deklaroi kryeministri.
/abcnews.al/


