E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, i cili pritet të përfundojë mandatin në krye të misionit muajin e ardhshëm.
Takimi u zhvillua të martën, ndërsa sipas Ambasadës amerikane në Prishtinë, në fokus të bisedës ishte roli i KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.
Prattipati e falënderoi gjeneralmajorin Ulutash për udhëheqjen e misionit të NATO-s dhe për angazhimin e tij në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua dje me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, ndërsa ai përgatitet të përfundojë mandatin e tij muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.
Në kuadër të mandatit të tij, KFOR-i vazhdon të ketë rol në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirë të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.


