NEW YORK– Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York, u ndal edhe te vlerat e mikpritjes shqiptare, ndasitë në shoqëri dhe sfidat e komunikimit në epokën e rrjeteve sociale.
Kryeministri foli më tej për atë që e cilësoi si një periudhë të vështirë për komunikimin dhe të vërtetën, duke iu referuar edhe ndikimit të mediave sociale.
Ai theksoi se qëndrimi i tij nuk lidhet me kufizimin e rrjeteve sociale apo të lirisë së shprehjes, por me mënyrën se si, sipas tij, e vërteta po përballet me manipulimin dhe informacionin e rremë.
“Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar sloganin më të neveritshëm e më të turpshëm që u bë shumë i dëgjuar në Shqipëri: ‘Shqipëria u përket shqiptarëve. Po në qoftë se do të kish qenë po e njëjta gjë për ato vende ku shkuan shqiptarët e lulëzuan për më tej, të gjithë ne nuk do të kishim mundur të bënim asnjë gjë, thjesht do të kishim ndenjur në shtëpi. Kështu që imagjinojeni për një moment nëse Amerika do t’u përkiste amerikanëve dhe të gjithë shqiptarët do të shkonin në shtëpi; Italia u përket italianëve, të gjithë shqiptarët shkojnë në Shqipëri; dhe Greqia u përket grekëve dhe të gjithë shqiptarët kthehen në shtëpi, ku do të ishim? Do të ishim në epokën neonaziste 4.0. Jo, Shqipëria i përket Zotit dhe mikut, ashtu siç shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut dhe sigurisht është shtëpia e shqiptarit, por në shtëpinë e shqiptarit duhet të ketë vend për gjithkënd që bujt e vjen, qoftë për strehë e qoftë për të ofruar ndihmë.
Duke e përmbyllur fjalën time që rrezikon të bëhet po aq e gjatë sa ajo e Martinit, doja të thoja diçka tjetër, sepse Martini kaloi nga një pjesë paqe, paqe, paqe nga Shqipëria në Kosovë, në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, tek ai komunitet i vogël i Malit të Zi dhe tha të ndarë, të ndarë, të ndarë, të ndarë. A mos është Amerika e Bashkuar, Martin? A mos është Europa e Bashkuar? A njeh ndonjë vend demokratik sot të bashkuar? S’kanë qenë kurrë më në ndasi. Nuk i kam parë kurrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës më të ndarë. Nuk kam parë kurrë Francën më të ndarë. Nuk kam parë kurrë Gjermaninë më të ndarë, s’kam parë asnjë.
Kështu që më lejo të them, në ndasi kemi qenë gjithmonë më të mirët, por tashmë nuk jemi më vetëm. Jemi në një klub të madh. Të gjithë janë të ndarë. Ka edhe më keq.
Të rinjtë tanë janë edhe më të ndarë e më në ndasi sesa vendet tona dhe ka dhe më keq: truri, mendja e fëmijëve tanë është e ndarë sepse ndërkohë që ne rrekemi të kuptojmë se si të mbrojmë vendet tona, si të mbrojmë demokracitë tona, si të mbrojmë klubin tonë të dashur NATO nga raketat e armikut, si të ndërtojmë kupolat e hekurta e kupola të florinjta, si të ndërtojmë mburoja që na mbajnë të sigurt në një luftë imagjinare të së ardhmes, e kemi lënë të gjithë trurin e fëmijëve tanë pa mburojë. Ndaj armiqtë e vendeve tona nuk kanë nevojë të na ndjekin pas me raketa: na sulmojnë duke u përzier me trurin e të rinjve tanë çdo orë përmes telefonit celular, përmes medias sociale.
E di, Zoti e bekoftë Amendamentin e Parë, por në qoftë se Amendamenti i Parë ka për qëllim të lejohet çdo lloj mbeturine e plehre, ndjesë se po hani, nuk po jetojmë më në civilizimin ku arsimi më i mirë, ku sjellja më e mirë, ku mënyra më e mirë e komunikimit mes njerëzve është zhvilluar. Po jetojmë barbarinë.
Pa gjejeni pak! Nuk bëjmë dot të njëjtën gjë me armiqtë tanë, sepse ata i kanë mbrojtur, kanë vënë mburojë për njerëzit e tyre. Ne nuk mund të shkojmë e të përzihemi me mendjet e fëmijëve kinezë sepse janë të mbrojtur dhe nuk po bëhem avokat apo më mirë nuk po them që jam avokat për të mbyllur median sociale. Nuk është se po avokatoj që të përndjekim apo të ndikojmë në lirinë e shprehjes. Ajo për të cilën avokatoj sot është që e vërteta kurrë nuk ka qenë më e shpërfillur, më e abuzuar, më e konsumuar në emër të gënjeshtrës, në emër të manipulimit dhe në emër të së keqes.
Më lini pra, ta mbyll njëherë e mirë duke thënë: po, jemi të ndarë. Po, këto ndasi në fund të fundit na dëmtojnë vetëm ne dhe ne shqiptarët jemi rritur duke e dëmtuar veten për shekuj të tërë. Po ka dhe një tjetër ndasi që po dëmton botën dhe është ndasia në vendet e mëdha që supozohet të na tregojnë rrugën. Është ndasia në vendet e mëdha që supozohet ta mbajnë pishtarin ndezur. Ndaj ju takon atyre të zgjedhin se çfarë duan të bëjnë, por së paku si shqiptarë le të mos tallemi me veten e t’i themi që kjo është diçka që mund ta zgjidhim të vetëm. Nuk mundemi. Ne shqiptarët do të mbetemi gjithmonë shqiptarë. E pa gjejeni, kur bota të bjerë në kolaps e njerëzimi të ketë marrë fund, do të ketë një shqiptar gjallë që të jetë dëshmitar e të thotë: “ju thamë”.”, tha ai.

