E ftuar në studion përballë gazetarit Endri Xhafo ishte pasditen e sotme kryetarja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari.
Ditën e sotme përfaqësues të nismës ‘Thurje’ të shoqëruar nga deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kanë depozituar sot në Kuvend një peticion të firmosur nga mbi 50 mijë qytetarë, ku me anë të një projektligji kërkojnë disa ndryshime në Reformën Zgjedhore.
Hajdari në studion e ABC News i qëndroi bindjes së saj se sistemi zgjedhor duhet të ndryshohet nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar pasi në sistemin proporcional kombëtar abuzimet janë më të vështira për tu kryer.
Sipas Hajdarit ky sistem gjithashtu dobëson fuqinë e kryetarëve të partive që kanë mbytur demokracinë brenda partive, tha Hajdari. E pyetur nga Endriu Xhafo nwse kjo ndryshimi i sistemit zgjedhor qw kërkohet nga Hajdari, Ralf Gjoni, nisma Thurje etj, bëhet për të patur një vazhdimësi politike nga këta të fundit, Hajdari tha: “për mua është më e ndershme që si qytetare e këtij vendi, të kërkoj ndryshim sistemi, dhe të kërkoj të jem e angazhuar akoma në politikë, me një sistem që është më legjitim sepse jepet vullneti i shqiptarëve, se sa të shkoj të bëj një marrëveshje të caktuar me një kryetar partie. Kjo do i jepte të drejtën jo vetëm Rudinës, por edhe qytetarëve të tjerë që duan të kontribuojnë dhe vërtetë kanë mbështetje qytetare, për tu futur në parlamentin e Shqipërisë”.
Pjesë nga biseda në studio:
Endri Xhafo: Çfarë thonë miqtë tuaj ndërkombëtar në lidhje me kërkesën tuaj për ndryshimin e sistemit zgjedhor?
Rudina Hajdari: Jam surprizuar sepse kam patur një mbështetje të jashtëzakonshme. Si fillim ka qenë një sfidë e imja personale, sepse prej fillit kur vendosa të mbaj mandatin e deputetit, e kam diskutuar reformën zgjedhore me disa ambasadorë, që në fakt nuk u treguan shumë të hapur në lidhje me këtë temë. Por kjo gjë avancoi dhe tashmë është bërë një detyrim ndërkombëtar për të kryer këtë reformë.
Endri Xhafo: Reforma zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE / ODIHR në asnjë moment nuk parashikojnë ndryshim sistemi, sa i keni bindur miqtë tuaj ndërkombëtar se kjo që kërkoni ju, që nuk ndodhet në rekomandimet e OSBE/ODIHR, është një e mirë e domosdoshme për ta bërë Shqipërinë më demokratike?
Rudina Hajdari: Opinioni ndërkombëtar nuk na limiton që të ndryshojmë sistemin aktual. Nëse ne kërkojmë të përmirësojmë gjendjen në Shqipëri është çështje tjetër. Është esenciale për vendin. Opinionet në lidhje me implementimet e OSBE/ODIHR janë të rëndësishme, por kjo nuk do të thotë që ata na limitojnë ne për të pasur një sistem më të mirë zgjedhor.
Endri Xhafo: A mund të themi se më këtë që kërkoni ju Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni dhe kushdo tjetër nga deputetët e rinj të parlamentit, që kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor, e bëjnë këtë për arsye përveçse ideologjike edhe për arsye pragmatiste, sepse një sistem proporcional kombëtar do tu jepte mundësinë një force të re politike, të krijuar nga ju, që të ishte e përfaqësuar në parlament?
Rudina Hajdari: A nuk është më e ndershme të themi se unë dua të ndryshoj sistemin, dhe të futem në një listë, e cila përzgjidhet nga qytetarët shqiptarë, se sa të vazhdoj me këtë sistem që jemi sot, dhe të shkoj të bëj një bisedë me një kryetar partie, që të më fusë në listë nesër? Pra për mua është më e ndershme që si qytetare e këtij vendi, të kërkoj ndryshim sistemi, dhe të kërkoj të jem e angazhuar akoma në politikë, me një sistem që është më legjitim sepse jepet vullneti i shqiptarëve, se sa të shkoj të bëj një marrëveshje të caktuar me një kryetar partie. Kjo do i jepte të drejtën jo vetëm Rudinës, por edhe qytetarëve të tjerë që duan të kontribuojnë dhe vërtetë kanë mbështetje qytetare, për tu futur në parlamentin e Shqipërisë.
Endri Xhafo: Qytetarët e tjerë si psh djemtë e nismës Thurje, kanë synim të merren me politikë?
Rudina Hajdari: Ne i kemi mbështetur të gjithë për të bashkuar forcat për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Sot ata janë një shoqëri civile që kërkojnë të njëjtën gjë si unë, dhe kjo shërben për kauzën e përbashkët që ne kemi. Është ende herët të flasim për një parti të re politike, këtë mund ta bëjmë më pas pasi ta kemi mendimin më të pjekur në lidhje me këtë./abcnews.al

