Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Napoli të Italisë, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë vizitës së tij në Napoli, Rama vizitoi edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit “L’Orientale”, një prej qendrave historike të studimeve albanologjike dhe katedra më e vjetër e Gjuhës Shqipe, e themeluar nga Jeronim De Rada dhe intelektualë arbëreshë.
Kjo katedër ka një traditë të rëndësishme në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, duke përfaqësuar një pikë të rëndësishme të lidhjes mes Shqipërisë, komunitetit arbëresh dhe botës akademike italiane.
Gjatë takimit me stafin akademik të universitetit, Kryeministri Rama vlerësoi kontributin e katedrës ndër vite dhe theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe krijimin e një rrjeti më të strukturuar për studimet shqiptare.
“Ta krijojmë një lloj rrjeti këtu në universitet, me idenë që më pas të mund të ndihmojmë në mënyrë më të strukturuar dhe gjithashtu ta përdorim për të ruajtur e për të shfrytëzuar më mirë gjithçka që prodhohet këtu”, u shpreh Rama.
Sipas Kryeministrit, një bashkëpunim më i strukturuar do të ndihmonte në ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e mëtejshëm të studimeve albanologjike dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në vizitën në Katedrën e Gjuhës Shqipe ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

