Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Spanjë më 29 dhe 30 shtator, njoftuan presidenca franceze dhe qeveria spanjolle.
Vizita do të zhvillohet me ftesë të Mbretit Felipe VI. Gjatë qëndrimit në Spanjë, Macron pritet të takohet edhe me kryeministrin spanjoll, Pedro Sánchez, me të cilin do të diskutojë çështje të rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare.
Në fokus të bisedimeve pritet të jenë situata në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndërsa dy liderët do të trajtojnë edhe sfidat që lidhen me demokracinë, inteligjencën artificiale dhe ndikimin e mediave sociale te të rinjtë.
Sipas Pallatit Élysée, kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e një presidenti francez në Spanjë që nga viti 2009. Presidenca franceze e ka cilësuar vizitën si dëshmi të “thellësisë së lidhjeve” mes dy vendeve dhe të bashkëpunimit të gjerë mes tyre.
Gjatë vizitës, Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia do të organizojnë një darkë zyrtare në nder të presidentit francez. Macron do të pritet gjithashtu nga kryeministri Pedro Sánchez më 30 shtator.
Vizita e fundit e Macron në Spanjë ishte në janar të vitit 2023, kur ai dhe Sánchez nënshkruan një traktat miqësie mes dy vendeve. Marrëveshja ende nuk është ratifikuar nga Spanja, për shkak të kundërshtimeve të së djathtës spanjolle ndaj disa prej dispozitave të saj.
Macron vizitoi gjithashtu Seviljen verën e kaluar, ku mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Financimin e Zhvillimit.

