Dronët rusë kanë sulmuar të dielën në mëngjes një zonë pranë pikës së kalimit kufitar mes Ukrainës dhe Polonisë, duke goditur edhe një tren pasagjerësh që ndodhej rreth dy kilometra larg kufirit, në rajonin e Volynit.
Operatori shtetëror ukrainas i hekurudhave konfirmoi se një nga goditjet preku lokomotivën e një treni që udhëtonte drejt Varshavës. Ekuipazhi ishte paralajmëruar paraprakisht për rrezikun nga autoritetet ukrainase dhe, sipas kompanisë, nuk pati të lënduar.
Ndërkohë, pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan një zjarr të madh në një pikë karburanti pranë pikës së kalimit Yahodyn-Dorohusk, në kufirin Ukrainë-Poloni. Mediat lokale raportuan se deri tani nuk ka të dhëna për viktima nga zjarri.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, reagoi ndaj sulmeve duke deklaruar se forcat ruse po “trokasin drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”. Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të forcojnë sanksionet ndaj regjimit të Vladimir Putinit.
Sulmet pranë kufijve të Bashkimit Evropian kanë rritur shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit dhe për një kërcënim të mundshëm ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar më herët për një rritje të kërcënimeve dhe të asaj që ajo e ka cilësuar si “luftë hibride” nga Rusia.
Në këtë kuadër janë përmendur edhe incidente të tjera në Evropë, përfshirë zbulimin e një droni të dyshuar të pajisur me eksploziv pranë aeroportit të Leipzigut në Gjermani, një incident me një dron detar në Detin e Zi dhe raportime për një komplot të dyshuar rus ndaj drejtuesit të kompanisë gjermane të armëve Rheinmetall.

