Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) lidhur me vendimmarrjen e tyre për pagat në sistemin e drejtësisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai e cilësoi të papranueshme mënyrën e njëanshme të marrjes së këtij vendimi, duke e quajtur atë zanafillën e një konflikti të panevojshëm mes pushteteve.
Rama theksoi se megjithëse Reforma në Drejtësi mbetet e nevojshme, pavarësia e këtyre institucioneve nuk duhet të kthehet në papërgjegjshmëri.
“Një vendim absurd të marrë nga dy këshillat që në letër janë organet qeverisëse të pushtetit gjyqësor, KLP dhe KLGJ, por që në realitet janë dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi. Dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar, në aspektin e misionit që kanë, që është një sistem i vetëqeverisur, një sistem i pavarur. Ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq ka sjellë edhe sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri.
Është temë e gjerë dhe komplekse. Reforma në drejtësi është padiskutim e duhura, koha në dispozicion, për të transformuar rrënjësisht dhe për të ngritur një sistem të ri drejtësie duke rritur një sistem të ri kulturor, sepse këto janë ndryshime epokale. Ky ndryshimi epokal ka nisur. Dua të them vetëm se sa shqetësuese, se sa e shëmtuar, vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barikadim i atij pushteti të pavarur dhe kushtetues, që duhet të garantojnë barazinë përpara ligjit për të gjithë dhe për vetveten. Unë nuk dua ta nis nga shoqëria, gjykatësit apo prokurorët, që nuk e di se sa janë për të kërkuar më shumë dhe më shumë nga taksapaguesit, por dua të ndalem atje ku e nisa te këto dy trupa këshillash.
Këta burra dhe gra që paguhen jo pak dhe që janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, jo për të bërë drejtësi, për të administruar proceset që deri dje i administronte kuvendi, politika dhe tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Si mundet që gjëja e parë që bëmë u kuturisëm të marrim një vendim në mes të verës dhe të nxjerrim një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti, pagat janë këto dhe Thesari i Shtetit të hapë derën. Le të themi se kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, rruga, shembulli, këtë ju mësojmë ne, të tërë së bashku, njerëzit e drejtësisë, qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? Ne jemi përfaqësues apo 3 shtete në konflikt? Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Çfarë ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shtet”, tha Rama.

