Analisti Artur Nura ka paralajmëruar ndryshime radikale në qeveri pas dorëheqjes së ministres Evis Sala dhe lëvizjeve politike të kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, në fokus është plotësimi i kërkesave të qytetarëve dhe adresimi i shqetësimeve të protestave përmes një “ristarti politik”.
Nura thekson se emrat e rinj që do të futen në kabinet mund të vijnë nga grupet e interesit, ndërsa të gjitha palët kanë ndezur motorët e fushatës elektorale.
“Do të ketë zhvillime. Rama po lëviz ujërat nga poshtë, po lexon shqetësimet e protestës dhe zhvillimet përtej protestës. Do të vazhdojë kjo strategji për të plotësuar kërkesat e qytetarëve.
Ka lëvizur të gjitha fijet dhe kanalet që ka kryeministri për t’i vënë në funksion. Dorëheqja e ministres Sala do të thotë që do të kemi ndryshime radikale. Jam i sigurt që deri ditën që do e bëjë me asamblenë ne do të kemi zhvillime të rëndësishme që do i paraprijnë kërkesave të protestës.
Do të ketë ndryshime në qeveri. Flitet për gjashtë portofole. U është dhënë “BESA” qytetarëve që t’u plotësohen kërkesat. Rama po bën një ristart politik. Është një ndërhyrje kirurgjikale që po i bën administratës për të arritur deri te ekzekutivi. Unë besoj që do të kemi emra të rinj, që do të vijnë nga grupet e interesit. Të gjitha palët kanë filluar fushatën elektorale, do të ketë përplasje”, tha analisti Nura.

