Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Kosovë/ PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive të mërkurën: Deputetët tanë do të jenë në Kuvend në orën 11:00

schedule21:22 - 11 Gusht, 2026

schedule 21:22 - 11 Gusht, 2026

KOSOVË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka dërguar sot një kërkesë zyrtare Avni Deharit, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, që nesër, më 12 gusht, të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në letrën e dërguar Deharit, PDK-ja vlerëson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, por thekson se tejkalimi i këtij afati nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.

“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.



Partia Demokratike e Kosovës kërkon që seanca të thirret pa vonesa dhe që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.

PDK-ja ka bërë të ditur se, pavarësisht nëse Dehari e përmbush apo jo këtë kërkesë, deputetët e saj do të jenë nesër, më 12 gusht, në orën 11:00, të pranishëm në sallën e Kuvendit.

Sipas PDK-së, në këtë orë përfundon edhe “48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës”, siç përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit.

Në fund, PDK-ja u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve të zgjedhur që të jenë nesër në sallën e Kuvendit, me qëllim që, sipas saj, të dëshmojnë gatishmërinë politike dhe vullnetin për përmbushjen e besimit të marrë nga qytetarët.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!