Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Anulohet fluturimi në Kanada, fëmija refuzoi të vendoste rripin e sigurimit

schedule11:15 - 11 Gusht, 2026

schedule 11:15 - 11 Gusht, 2026

Anulimi i një fluturimi në Kanada, pasi një fëmijë refuzoi të vendoste rripin e sigurimit, ka rindezur debatin mbi sjelljen dhe rregullat e sigurisë për fëmijët që udhëtojnë me avion.

Fluturimi i kompanisë ajrore Porter Airlines, i cili do të nisej nga Victoria drejt Torontos më 6 gusht, u detyrua të kthehej në terminal pasi, sipas kompanisë, “një fëmijë i vogël qëndronte në këmbë mbi sediljen e tij dhe refuzonte të vendoste rripin e sigurimit”.

Vonesa bëri që avioni të mos mund të nisej përpara mbylljes së pistës pas mesnate, ndaj pasagjerët u detyruan të rezervonin fluturime të reja për ditën e ardhshme.



Incidenti ka ndarë opinionin publik lidhur me mënyrën se si duhet të trajtohen fëmijët në situata të tilla dhe sa të ashpra duhet të jenë kompanitë ajrore në zbatimin e rregullave të sigurisë.

Lidhur me sjelljen e fëmijës, Porter Airlines tha se “përpjekjet e prindit shoqërues dhe të ekuipazhit për ta zgjidhur situatën nuk patën sukses”.

“Avioni nuk mund të ngrihej në këto kushte të pasigurta, ndaj ekuipazhi vendosi të kthehej në terminal dhe t’u kërkonte dy pasagjerëve të zbrisnin”, shtoi kompania.

Ekspertja e sigurisë së fëmijëve në aviacion, Lia Tuso, tha për BBC se ekuipazhi i Porter Airlines po mbronte sigurinë e të gjithë pasagjerëve, por edhe të vetë fëmijës, me vendimin për të ndaluar fluturimin.

“Fëmijët që nuk janë të lidhur me rrip mund të shndërrohen në ‘predha’”, tha Tuso, duke i krahasuar me bagazhet e pasiguruara, të cilat mund të përplasen me pasagjerët në rast turbulencash, veçanërisht gjatë ngritjes dhe uljes së avionit.

Incidenti ka shkaktuar një debat të gjerë në internet mbi atë se sa tolerante duhet të jenë kompanitë ajrore ndaj familjeve që udhëtojnë me fëmijë dhe sa rreptësisht duhet t’i zbatojnë prindërit rregullat e aviacionit.

Disa komentues e kanë cilësuar rastin si një shembull të pasojave që mund të vijnë kur prindërit janë tepër “të butë” me fëmijët e tyre. Çështja u diskutua edhe në programin e mëngjesit të Fox News, ku bashkëmoderatori Charles Hurt tha se ishte në favor të disiplinës fizike.

“Të gjithë kemi qenë në situata të tilla si prindër”, tha ai. “Por kjo e tejkalon çdo kufi.”

Të tjerë kanë vënë në dukje se ndonjëherë fëmijët kanë frikë nga fluturimi dhe nuk përpiqen qëllimisht të krijojnë probleme.

Një nga pasagjerët në fluturimin e Porter Airlines, Aryeh Kozuch, tha për CBC News se fëmija nuk kishte qenë i padisiplinuar, por dukej i frikësuar.

“Ai thjesht fshihej poshtë sediljes. Kur përpiqeshin ta detyronin të lidhej me rrip, ai rrëshqiste poshtë sediljes”, tha Kozuch.

Shumë persona kanë ngritur pyetjen se përse i gjithë fluturimi duhej të ndërpritej për shkak të një fëmije dhe kanë argumentuar se familja duhej të ishte nxjerrë nga avioni.

Një situatë e ngjashme ndodhi në vitin 2018, kur një baba dhe vajza e tij u filmuan teksa nxirreshin nga një fluturim i Southwest Airlines nga Çikago drejt Atlantës.

Sipas një pasagjeri që filmoi incidentin, vajza ishte qetësuar pas një shpërthimi emocional dhe kishte qëndruar e ulur në vendin e saj për më shumë se pesë minuta, përpara se ekuipazhi t’i njoftonte babait se do të nxirreshin nga avioni.

Southwest Airlines, kompania e përfshirë në incident, tha se raportet fillestare tregonin se “një bisedë mes ekuipazhit dhe një pasagjeri që udhëtonte me një fëmijë të vogël ishte përshkallëzuar”.

Pas një incidenti të ngjashëm në vitin 2012, familja që ishte nxjerrë nga avioni doli në emisionin “Today” të NBC-së, ku akuzoi kompaninë ajrore për mungesë njerëzillëku.

JetBlue, kompania ajrore e përfshirë në atë rast, tha se “kishte pasagjerë që për një periudhë të gjatë nuk iu bindën udhëzimeve të anëtarëve të ekuipazhit”.

“Kapitani vendosi t’i nxirrte pasagjerët e përfshirë nga avioni, për sigurinë e të gjithë pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit në bord”, shtoi kompania./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!