Zjarri rrezikon banesat në fshatin Koilac, Policia evakuon disa familje. Vijon operacioni për shuarjen e flakëve.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për evakuimin e disa familjeve nga fshati Koilac, Mallakastër, pasi zjarri masiv që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe banorët.
Në terren janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile dhe strukturat e tjera përgjegjëse.
Për shkak të erës së fortë, flakët po favorizohen në përhapjen e tyre në drejtim të zonave të banuara, ndërsa deri tani zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.
Shërbimet e Policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe duke bashkëpunuar me të gjitha strukturat për izolimin dhe shuarjen e flakëve të zjarrit të cilat për shkak të erës po përhapen në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan.
Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.


